Protesta/ Procedohen penalisht shtatë persona, mes tyre një deputet
Policia e Tiranës ka proceduar penalisht shtatë shtetas pas përfundimit të protestës së Partisë Demokratike, zhvilluar mbrëmjen e djeshme në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”.
Sipas njoftimit zyrtar, gjatë tubimit këta persona kanë hedhur lëndë djegëse (molotov) dhe lëndë piroteknike. Ata gjithashtu kanë kundërshtuar dhe goditur punonjësit e Policisë me sende të forta. Si pasojë e përplasjes, janë lënduar tre efektivë policie.
Nga veprimet e kryera, policia ka proceduar penalisht shtatë shtetas. Gjashtë prej tyre akuzohen për veprat penale “Kundërshtimi i punonjësit të rendit publik”, “Goditja për shkak të detyrës” dhe “Prishja e rendit dhe qetësisë publike”. Ndërkohë, një deputet procedohet penalisht për veprën penale “Organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime dhe manifestime të paligjshme”.
Gjatë ndërhyrjes, policia ka sekuestruar një molotov, lëndë piroteknike dhe sende të forta të përdorura gjatë protestës.
