Qeveria drejt legalizimit të lobimit, por kontratat e pagesave i mban sekret
Qeveria shqiptare ka paraqitur për konsultim publik një projektligj me qëllim legalizimin e lobimit në Shqipëri dhe krijimin e një regjistri të lobuesve.
Ky projektligj është rezultat i punës së një grupi të ngritur me urdhër të kryeministrit Edi Rama në korrik të këtij viti, ndërsa drafti është propozuar nga ministrja e Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin, Adea Pirdeni.
Drafti, i cili përmban 32 nene, propozon që Komisioneri për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale të jetë institucioni përgjegjës për regjistrin e lobuesve dhe aktivitetet e tyre.
Në relacionin shoqërues premtohet transparencë dhe llogaridhënie. Megjithatë, ligji propozon fshehjen e të dhënave thelbësore për transparencën, duke përfshirë fitimet dhe shpenzimet e lobuesve.
Neni 11 i draftit parashikon se ndërsa emri i lobuesit dhe i lobuarit do të publikohet, “kopjet e kontratave të lobimit, duke përfshirë periudhën dhe shpërblimin” si dhe “deklaratat periodike mbi buxhetin dhe shumat e shpenzuara për lobim” do të mbahen konfidenciale. Këto të dhëna, sipas nenit, mund të përdoren nga Komisioneri vetëm për qëllime verifikimi, kontrolli, raportimi statistikor ose bashkëpunimi institucional, në përputhje me legjislacionin për mbrojtjen e të dhënave personale dhe sekretet tregtare.
Ndërsa në relacion pretendohet se drafti është në përputhje me standardet e Bashkimit Evropian, ky i fundit kërkon raportime të qarta për shpenzimet dhe përfitimet nga lobimi. Në mënyrë të ngjashme, Shtetet e Bashkuara të Amerikës publikojnë të gjitha të dhënat financiare dhe kontratat e lobuesve me palë të treta.
Në relacion mungon një shpjegim për zgjedhjen e Komisionerit si institucion menaxhues të lobimit dhe regjistrit, si dhe për kapacitetet e nevojshme. Në vende anëtare të BE-së si Gjermania apo në SHBA, kontrolli i lobimit bëhet nga vetë ligjvënësit, ose nga institucione të posaçme.
Ligji gjithashtu parashikon një afat minimal për ish-zyrtarët, të cilët pasi lënë detyrën, përfshihen në lobim. Sipas draftit, atyre u ndalohet lobimi për dy vjet vetëm në fushat e përgjegjësisë dhe institucionet në varësi.
Relacioni është kontradiktor, duke theksuar se dokumenti shënon një pikë hyrëse për negociatat me BE-në, por në të njëjtën kohë deklaron se projekligji nuk synon përafrim me acquis.
Lobimi përkufizohet si përpjekje e organizuar e grupeve të interesit, si bizneset, sindikatat apo OJQ-të, për të ndikuar zyrtarët qeveritarë ose ligjvënësit në lidhje me çështje të caktuara, me qëllim që vendimet politike dhe ligjet e reja të jenë në favor të kauzave ose interesave të tyre.
Në Shqipëri nuk ka pasur deri tani rregullime për këtë fushë, megjithëse investigime kanë nxjerrë në pah raste të ligjeve të ashtuquajtura “me porosi”.