Inflacioni arrin 3%: Qiratë, ushqimet dhe transporti shtojnë koston e jetesës në nivele rekord
Statistikat e INSTAT konfirmojnë rritjen e kostove të jetesës në Shqipëri. Pas disa muajsh rritjeje graduale, inflacioni në muajin maj arriti në 3%, duke shënuar nivelin më të lartë në dy vitet e fundit. Ky nivel përputhet me objektivin e synuar nga Banka e Shqipërisë, e cila prej vitesh e konsideron 3% si normën që garanton stabilitetin e çmimeve në ekonomi.
Krahasuar me muajin prill, ku inflacioni ishte 2.7%, në maj ai u rrit në 3%. Ndërkohë, një vit më parë, shifra ishte vetëm 2.2%. Faktorët kryesorë që kanë nxitur rritjen e çmimeve përfshijnë tensionet gjeopolitike dhe fillimin e sezonit turistik, i cili po afron kulmin.
Sipas INSTAT, goditjen më të fortë e kanë dhënë:
- Qiratë dhe kostot e strehimit: Kontribuuan me 0.84% në inflacionin total. Rritja e kërkesës për apartamente me qira afatshkurtër nga turistët ka ndikuar në ngritjen e çmimeve edhe për familjet shqiptare.
- Ushqimet: Renditen në vend të dytë, me një ndikim prej 0.76%.
- Transporti: Shtoi 0.51%, kryesisht për shkak të shtrenjtimit të karburanteve si pasojë e tensioneve në Lindjen e Mesme.
Duke analizuar periudhën njëvjeçare, grupi i transportit ka shënuar rritjen më të lartë të çmimeve me 7.8%. Pas tij vijnë sigurimet dhe shërbimet financiare me 4.9%, ndërsa qiratë, energjia dhe karburantet janë shtrenjtuar me 4.2%.
Edhe restorantet dhe akomodimi vijojnë trendin rritës, duke reflektuar presionin e shtuar nga sezoni turistik.
Një rritje e inflacionit pranë objektivit të Bankës së Shqipërisë nuk përbën ende një arsye për ndryshimin e politikës monetare. Megjithatë, një rritje e mëtejshme e çmimeve mund të sjellë një kalim të objektivit dhe, si pasojë, ndryshime në normat e interesit.
Për qytetarët, rritja e inflacionit përkthehet në shpenzime më të larta për të njëjtat produkte dhe shërbime. Sfida kryesore mbetet nëse kjo rritje do të jetë e përkohshme apo do të vijojë gjatë muajve të verës, periudhë kur pritet kulmi i fluksit turistik.