Shtyhet seanca në GJKKO ndaj ish-kryebashkiakut Erion Veliaj
Seanca paraprake për Erion Veliajn dhe të pandehurit e tjerë është shtyrë sërish sot në GJKKO.
Mësohet se avokati i tij i ri, Artan Gjermeni, krahas avokatit paraardhës Ermir Beta, ka kërkuar kohë për t’u njohur me aktet.
Sakaq, seanca e radhës është parashikuar të mbahet më datë 12 nëntor në orën 09:00.
Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, u arrestua në zyrën e Bashkisë më 10 shkurt si i dyshuar për kryerjen e veprave penale të:
- “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë”, kryer në bashkëpunim (9 herë)
- “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”
- “Refuzimi për deklarimin, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave privatë të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim”.
Bashkëshortja e kryebashkiakut, Ajola Xoxa, është lënë në masë sigurimi “detyrim paraqitje”.
