Belgjika e Ruanda rivendosin marrëdhëniet diplomatike

Belgjika dhe Ruanda rivendosin marrëdhëniet diplomatike, ambasadat do të rihapen së shpejti

Qeveritë e Belgjikës dhe Ruandës kanë rënë dakord të rivendosin marrëdhëniet diplomatike, të cilat u ndërprenë në vitin 2025.

Marrëveshja u bë e ditur të martën përmes një deklarate të përbashkët të ministrive të Jashtme të të dy vendeve, në kuadër të punimeve të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.

Sipas deklaratës, Belgjika dhe Ruanda vendosën më 22 shtator 2026 të rikthejnë marrëdhëniet diplomatike mes tyre. Në kuadër të këtij vendimi, të dyja palët kanë rënë dakord që ambasadat e tyre të rihapen në të ardhmen e afërt.

Marrëdhëniet diplomatike mes dy vendeve u ndërprenë nga Kigali në mars të vitit 2025. Në atë kohë, Ruanda akuzoi qeverinë belge se mbante anën e Republikës Demokratike të Kongos në konfliktin e armatosur në lindje të vendit.

Belgjika ka një histori të gjatë me Ruandën, pasi ishte fuqia koloniale dominuese në këtë vend deri në pavarësinë e tij në vitin 1961.

Rivendosja e marrëdhënieve diplomatike shënon një ndryshim të rëndësishëm në raportet mes Brukselit dhe Kigali-t, pas tensioneve të krijuara gjatë vitit të kaluar për shkak të qëndrimeve të ndryshme lidhur me situatën e sigurisë në rajonin e Liqeneve të Mëdha të Afrikës.

Scroll to Top