Grabitje spektakolare me eskavator në Angli, vidhet bankomati

VIDEO/ Grabitje spektakolare në Angli, ja si u përdor eskavatori për të nxjerrë bankomatin nga supermarketi

Pamje të pazakonta janë regjistruar në orët e para të mëngjesit të së dielës në një qytet të Anglisë, ku disa persona të maskuar vodhën një bankomat (ATM) duke përdorur një eskavator për ta nxjerrë nga muri i një supermarketi.

Ngjarja ndodhi në Milton Keynes, rreth 80 kilometra në veriperëndim të Londrës. Në videon e xhiruar nga banorë të tronditur, shihet eskavatori teksa shkatërron fasadën e ndërtesës, nxjerr bankomatin nga muri dhe e tërheq jashtë, duke shkaktuar dëme të konsiderueshme në ndërtesë.

Më pas, autorët e mbuluar me kapuçë ngarkojnë bankomatin në karrocën e një kamioni dhe largohen me shpejtësi nga vendngjarja. Sipas policisë, bankomati u braktis më vonë në rrugë, ndërsa autorët janë ende në arrati.

Policia ka nisur një hetim për vjedhjen dhe u ka bërë thirrje dëshmitarëve që të ndihmojnë me informacion.

Në ndërkohë, videoja e ngjarjes është shpërndarë gjerësisht në rrjetet sociale, duke shkaktuar habi dhe ironi mes përdoruesve. Disa komentues në platformën X (ish-Twitter) kanë theksuar guximin e jashtëzakonshëm të grabitësve, ndërsa të tjerë kanë kujtuar se shumë bankomate janë të pajisura me sisteme sigurie që spërkasin me bojë paratë, në mënyrë që të mos mund të përdoren nga grabitësit.

Scroll to Top