Video/ Dy ditë pas zjarrit katastrofik, Vangjel Tavo zbret në terren: Prioriteti ynë është të jemi pranë banorëve
Publikuar më 06.09.2026 nga Shek
Kryebashkiaku i Himarës, Vangjel Tavo, ka zbritur në terren pas zjarreve që kanë goditur qytetin në jug të vendit. Tavo ka publikuar pamje në rrjetet sociale ku shfaqet pranë qytetarëve, banesat apo tokat e të cilëve janë dëmtuar nga zjarri katastrofik dy ditë më parë.
Tavo theksoi se ekipet po evidentojnë dëmet dhe po qëndrojnë pranë familjeve të prekura. Ai shtoi se prioriteti mbetet rikthimi i energjisë elektrike, furnizimit me ujë dhe normalizimi i situatës në zonat e dëmtuara.
Reagimi i plotë:
“Po punojmë për normalizimin e situatës pas zjarrit! Sot, me stafin e bashkisë, të angazhuar për menaxhimin e situatës, po vijojmë inspektimin në terren në zonat më të dëmtuara nga zjarri. Jemi takuar me familjet më të prekura dhe kemi biseduar drejtpërdrejt me banorët për situatën dhe nevojat e tyre.”
“Në terren, grupet e Bashkisë, së bashku me grupin e verifikimit të Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile, po bëjnë konstatimin e dëmeve. Në terren ka qenë edhe Ministrja për Marrëdhëniet me Parlamentin, Erjona Ismaili.”
“Prioritet është rikthimi i energjisë elektrike dhe furnizimi me ujë në të gjitha zonat e prekura. Gjithashtu, rrugët janë hapur dhe qarkullimi është kthyer në normalitet të plotë. Tani puna vijon në terren.”
“Grupet e Bashkisë, në bashkëpunim me institucionet qendrore, po evidentojnë dhe dokumentojnë të gjitha dëmet e shkaktuara nga zjarri, në mënyrë që situata të vlerësohet me përgjegjësi dhe çdo familje e prekur të marrë mbështetjen e nevojshme. Në këto momente të vështira, prioriteti ynë është të jemi pranë banorëve dhe të rikthejmë sa më shpejt normalitetin në çdo zonë të prekur.”
Himara u përball të premten me një vatër të madhe zjarri, ku si pasojë u dogjën 6 banesa, 3 prej tyre të banuara. Në lagjen “1 Maji” u evakuuan nga zona e rrezikut 36 persona, të cilët mëngjesin e së shtunës u kthyen në banesa. Flakët përfshinë fillimisht sipërfaqe të mëdha me ullishte, e më pas era bëri që flakët të merrnin menjëherë dhe të përparonin drejt banesave.
