“Ata që përgatitën mashtrimin, janë pas hekurave” / Berisha nga SHBA për vendimin “non grata”: Qëndroj me dy këmbë në tokën që donin të ma ndalonin
Kryedemokrati Sali Berisha ndodhet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku ka zhvilluar një takim me shqiptarët në New Jersey. Berisha u shpreh lidhur me shpalljen “non grata” nga DASH 5 vite më parë, duke theksuar se sanksionet erdhën pas një mashtrimi të orkestruar nga “ekstremi i majtë”. Ai shtoi se sot, ata që ishin pas këtij vendimi, janë vetë “non grata”. Ndërsa për sa i përket kundërshtarëve të tij në Shqipëri, ai tha se ata janë tashmë pas hekurave.
“Isha 8 vite pa asnjë pushtet. Por me besimin e palëkundur te SHBA, vlera mbi të cilat është ndërtuar ky vend dhe komb i madh. Vend i të lirëve, shtëpi e guximtarëve, isha i qartë si kristali se kjo padrejtësi nuk po vinte nga SHBA, por nga agjenda anti-liri. E asaj që Donald Trump e ka quajtur si ekstremi i majtë. E nisa këtë betejë në errësirë, por asnjë natë nuk zgjat dot pafundësisht. Kur nisa këtë betejë, populli i madh amerikan vendosi të zgjedhë Donald Trump, dhe efektet erdhën deri në Shqipëri. Ata që na treguan barin, përfunduan të papunë… Ata që firmosën ndalimin tim sot janë non-grata vetë në vendin e tyre. Ata që përgatitën mashtrimet ndaj meje në Shqipëri sot janë pas hekurave, ndërsa unë po qëndroj sot me dy këmbë në këtë tokë që ata mendonin të ma ndalonin përgjithmonë”, tha ai.
