Gaza: Sulme të Izraelit pas akuzave për shkelje armëpushimi

Hamasi ka shkelur armëpushimin, Netanyahu urdhëron sulme të menjëhershme në Gaza

Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, ka urdhëruar të martën ushtrinë izraelite të kryejë sulme “të fuqishme” në Rripin e Gazës, pasi akuzoi Hamasin për shkelje të armëpushimit të ndërmjetësuar nga Shtetet e Bashkuara.

Pak minuta më vonë, Hamasi, një grup palestinez i shpallur terrorist nga SHBA dhe disa vende të tjera, njoftoi se do ta vononte dorëzimin e kufomës së një pengu tjetër, duke e akuzuar Izraelin për “shkelje të armëpushimit”.

“Pas konsultimeve rreth sigurisë, kryeministri Netanyahu udhëzoi ushtrinë që menjëherë të kryejë sulme të fuqishme në Rripin e Gazës”, tha zyra e Netanyahut, pa dhënë hollësi të tjera.

Hamasi kishte njoftuar më herët se do ta dorëzonte trupin e një pengu tjetër të martën, pas trysnisë së shtuar nga Izraeli, i cili e akuzoi grupin palestinez se të hënën kishte kthyer vetëm mbetjet e pjesshme të trupit të një pengu të rikuperuar më parë.

“Ne do ta shtyjmë dorëzimin që ishte planifikuar për sot për shkak të shkeljeve nga okupatori”, tha krahu i armatosur i Hamasit në një deklaratë, duke shtuar se çdo “përshkallëzim izraelit do të pengojë kërkimin, gërmimin dhe rikuperimin e trupave”.

Armëpushimi mes Izraelit dhe Hamasit, i ndërmjetësuar nga SHBA, hyri në fuqi më 10 tetor, por të dyja palët kanë akuzuar njëra-tjetrën për shkelje. Mediat izraelite raportuan më herët për një shkëmbim zjarri midis forcave izraelite dhe luftëtarëve të Hamasit në qytetin jugor të Gazës, Rafah.

Hamasi nguli këmbë se po i zbaton kushtet e armëpushimit dhe e akuzoi kryeministrin Netanyahu se po kërkon të gjejë arsyetime për t’u tërhequr nga detyrimet e Izraelit.

Sipas kushteve të armëpushimit, Hamasi liroi të gjitha pengjet e gjalla në këmbim të gati 2.000 të dënuarve dhe të ndaluarve palestinezë gjatë luftës, ndërsa Izraeli tërhoqi trupat e tij dhe ndaloi ofensivën. Hamasi është pajtuar gjithashtu t’i dorëzojë trupat e të gjitha pengjeve të vdekura që ende nuk janë gjetur, por ka thënë se procesi do të kërkojë kohë për të lokalizuar dhe rikuperuar trupat në enklavën e shkatërruar nga lufta dyvjeçare. Izraeli, nga ana e tij, pretendon se grupi militant e di ku ndodhen mbetjet mortore të shumicës së pengjeve.

Plani prej 20 pikash, i prezantuar nga Trump, po ashtu parasheh çarmatosjen e Hamasit, kërkesë e parashtruar edhe më herët nga Izraeli, por që nuk ishte pranuar nga grupi palestinez.

Lufta në Gazë nisi më 7 tetor 2023, pasi Hamasi sulmoi jugun e Izraelit, duke vrarë afër 1.200 persona dhe duke rrëmbyer 251 të tjerë. Si pasojë e ofensivës hakmarrëse të Izraelit, në Rripin e Gazës janë vrarë më shumë se 67.000 palestinezë, sipas Ministrisë së Shëndetësisë në këtë enklavë.

Scroll to Top