3 arrestime për dosjen “5D Konstruksion”, mashtrime fiskale

Dosja “5D” / Tre arrestime të tjera, mashtronin për drejtorët e Bashkisë

Prokuroria e Tiranës ka kërkuar masa sigurie për tre biznesmenë, të cilët akuzohen për kryerjen e shitjeve fiktive në favor të kompanisë “5D Konstruksion” dhe krijimin e një skeme mashtruese fiskale për përfitime.

Personat e përfshirë dhe masat e sigurisë:

  • Ilir Allmeta: Arrest me burg
  • Ermir Gjoklaj: Detyrim paraqitje
  • Mirash Lula: Detyrim paraqitje

Sipas hetimeve, rezulton se vlera monetare prej 370,299,847 lekësh, e krijuar nëpërmjet shitjeve të dyshuara fiktive, është përfshirë nga subjekti “5D Konstruksion” sh.p.k. në dokumentacionin e tenderëve publikë. Kjo është bërë me qëllim rritjen artificiale të volumit dhe kostove të punimeve të kryera. Kjo vlerë është pasqyruar si shpenzim i justifikuar në dokumentacionin për zbatimin e kontratave publike, duke i mundësuar subjektit përfitues të arkëtojë nga fondet publike vlerën e plotë të këtij transaksioni fiktiv, në dëm të buxhetit të shtetit.

Si rrjedhojë, veprimet e kryera jo vetëm që kanë krijuar avantazhe tatimore të padrejta (në TVSH dhe TF), por kanë rezultuar edhe në përvetësimin e pajustifikuar të fondeve publike, përmes paraqitjes së rreme të shpenzimeve në raportet financiare të tenderëve.

Njoftimi i Prokurorisë:

Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë ka vendosur tre masa sigurie për shtetasit I.A. (Arrest në burg), E.Gj. (Detyrim paraqitje) dhe M.L. (Detyrim paraqitje). Ata dyshohen për përfshirje në krijimin e skemave mashtruese lidhur me tatimin mbi vlerën e shtuar (TVSH), fshehjen e të ardhurave, si dhe falsifikimin e vulave, stampave ose formularëve, vepra të parashikuara nga nenet 144/a, 180 dhe 190 të Kodit Penal.

Në kuadër të hetimeve mbi procedimin penal nr. 2578 të vitit 2025, në bashkëpunim me Drejtorinë e Hetimit Tatimor dhe Seksionin e Krimit Ekonomik pranë Drejtorisë së Policisë Tiranë, rezultoi se subjektet tregtare “Allmeta 02”, “TT” dhe “Valbona Alb” kanë kryer shitje të dyshuara fiktive në favor të subjektit “5D Konstruksion”, me një vlerë totale prej 370,299,847 lekësh. Kjo ka gjeneruar një TVSH dhe Tatim Fitimi të përllogaritur në shumën prej 108,004,122 lekë.

Subjekti “5D Konstruksion” është hetuar më parë nga Prokuroria e Posaçme, duke dërguar në gjykim shtetasit G.C., E.M., T.M. dhe B.Ç. Ky subjekt dyshohet se ka rritur në mënyrë fiktive shpenzimet për punët publike të tenderuara nga Bashkia Tiranë, duke administruar dhe deklaruar fatura fiktive të lëshuara nga personat nën hetim (I.A., E.Gj. dhe M.L.) me vlerën rreth 370,299,847 lekë.

Këto veprime janë realizuar përmes deklarimeve të pavërteta dhe përdorimit të faturave fiktive, me qëllim krijimin e një skeme mashtruese fiskale. Synimi ka qenë përfitimi i padrejtë i kreditimit të TVSH-së dhe ulja e bazës së tatueshme për Tatimin mbi Fitimin, duke dëmtuar interesat financiare të shtetit.

Hetimet vijojnë në drejtim të identifikimit të personave të tjerë të përfshirë, si dhe për dokumentimin e plotë të skemës mashtruese dhe pasojave financiare të saj.

Scroll to Top