Prova 1,2,3… Gjykata Kushtetuese bëhet gati të presë Erion Veliajn (PAMJET)
E premtja do të jetë një ditë e rëndësishme në Gjykatën Kushtetuese. Për herë të parë pas 8 muajsh, kryetari i bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, do të largohet nga qelia në paraburgimin e Durrësit dhe do të udhëtojë drejt Tiranës.
Ai ka konfirmuar pjesëmarrjen e tij në seancën e Gjykatës Kushtetuese, ku do të shqyrtohet kërkesa e tij kundër shkarkimit nga detyra si kryetar i Bashkisë së Tiranës, vendim i marrë nga Këshilli i Ministrave. Veliaj pritet gjithashtu të mbajë një fjalë rreth kësaj çështjeje.
Duke pasur parasysh vëmendjen që do të ketë kjo seancë, Gjykata Kushtetuese është përpjekur të marrë masat e nevojshme për të shmangur çdo problem teknik. Punonjësit e kësaj gjykate janë parë duke qëndruar për më shumë se një orë në sallë për të testuar kamerat dhe mikrofonat.
Nuk kanë munguar as momentet e humorit mes tyre. Kamera të televizioneve nuk do të lejohen brenda sallës gjatë seancës; pamjet do të transmetohen nga vetë gjykata.
