“`html
Ngërçi me pagat e magjistratëve, Rama: Edhe Gjykata Kushtetuese pret parlamentin! Çdo koment tjetër është humbje kohe
Kryeministri Rama ka reaguar në lidhje me situatën e krijuar për pagat e gjyqtarëve në vend. Në një postim në rrjetet sociale, Rama theksoi se çdo institucion duhet të veprojë brenda kompetencave të tij.
Duke ndarë një video nga një konferencë e Ministrit të Drejtësisë, Rama sqaroi se edhe Gjykata Kushtetuese është në pritje të vendimit të parlamentit dhe nuk ka mundësi të aksesohet drejtpërdrejt Thesari i Shtetit.
“Secili institucion në vendin e vet. Fondi i pagave për pushtetin gjyqësor propozohet nga ekzekutivi dhe miratohet nga legjislativi. Dhe kur vetë Gjykata Kushtetuese pret parlamentin të ekzekutojë vendimin e saj për pagat e gjyqësorit, duke mos marrë përsipër të hapë drejtpërdrejt derën e Thesarit të Shtetit, çdo koment tjetër në rastin më të mirë është humbje kohe, dhe në rastin më të keq, nuk ia vlen as të pyesësh se për çfarë bëhet fjalë…” – shkroi Rama.
Prej disa ditësh, magjistratët nuk kanë marrë pagën për shkak se fondi është bllokuar në Thesarin e Shtetit. Kjo situatë erdhi pasi KLGJ dhe KLP përcaktuan vetë pagën referencë të gjyqtarëve dhe prokurorëve, duke argumentuar se Kuvendi nuk kishte miratuar një formulë të re brenda datës 31 korrik, pavarësisht vendimit të Gjykatës Kushtetuese.
Ministri Toni Gogu u shpreh se ngërçi do të zgjidhet në Kuvend me fillimin e sesionit të ri parlamentar. Ndërkohë, Ministria e Financave ka reaguar duke theksuar se listë-pagesat janë dërguar sipas një modeli të ri, i cili nuk është miratuar ende nga Kuvendi. Për këtë arsye, kërkohet që listë-pagesat të miratohen sipas modelit të përdorur edhe në muajin korrik.
“`
