Andrew humbet titullin mbretëror, largohet nga rezidenca

Lidhja me Epstein shkaktoi polemika, Mbreti Charles i heq titullin mbretëror vëllait Andrew

Monarku britanik, Charles III, ka nisur procesin zyrtar për heqjen e titullit të princit për vëllain e tij, Andrew. Ky i fundit gjithashtu do të largohet nga rezidenca e tij në Uindsor dhe do të zhvendoset në Sandringham.

Pallati Buckingham njoftoi se Andrew ka rënë dakord të largohet nga prona mbretërore, ndërsa lidhjet e tij me financierin Jeffrey Epstein, i cili u dënua për pedofili, vazhdojnë të jenë burim polemikash.

Edhe pse Andrew i mohon akuzat, Pallati mbretëror ka vlerësuar se ai ka treguar “mungesë serioze gjykimi”. Nëpërmjet një deklarate zyrtare, Pallati sqaroi se “princi Andrew nga tani do të njihet si Andrew Mountbatten Windsor”.

“Kontrata e tij e qirasë në pronën mbretërore i kishte ofruar deri tani mbrojtje ligjore për të jetuar aty. Tani është dorëzuar njoftimi zyrtar për dorëzimin e pronës dhe ai do të zhvendoset në një banesë private. Këto masa konsiderohen të domosdoshme, pavarësisht se ai vazhdon t’i mohojë akuzat ndaj tij,” thuhet në njoftim.

Në janar të vitit 2022, Andrew humbi titujt e tij ushtarakë dhe të patronazheve, pasi nuk arriti të bindte një gjykatëse amerikane të hidhte poshtë një padi civile kundër tij, ku akuzohej për abuzim seksual. Virginia Giuffre e kishte paditur Andrew në vitin 2021, duke pretenduar se kur ajo ishte 17 vjeç, kishte kryer marrëdhënie seksuale me të disa herë, me kërkesë të Ghislaine Maxwell, ish-partneres së Epstein, e cila u dënua për krime seksuale.

Këto akuza janë mohuar vazhdimisht nga Andrew dhe në vitin 2022 ai dhe Giuffre arritën një marrëveshje pa shkuar në gjyq. Megjithatë, lidhjet e tij me Epstein dëmtuan rëndë imazhin e tij publik dhe e detyruan Andrew të tërhiqej nga disa prej detyrave të tij mbretërore.

Scroll to Top