Veliaj në Kushtetuese, Berisha: Mbështesim arrestimin, u shkelën procedurat ligjore
Gjatë mbledhjes së grupit parlamentar të Partisë Demokratike, kreu i PD-së, Sali Berisha, komentoi zhvillimet e fundit rreth Erion Veliajt dhe seancës së tij në Gjykatën Kushtetuese, e cila u shty për 30 minuta.
Berisha e cilësoi si një nga protestat më të rëndësishme të PD-së atë kundër arrestimit të Veliajt. “Po! Një kryetar bashkie që ka firmosur mbi një incenerator 130 milionë euro dhe nuk i gjendet asnjë gjurmë. E dini pse nuk u hetua për këtë? Sepse është Edi Rama mbi firmën e tij. Ai që ka pasur atë dosje, për të qenë realistë, ose do i merrte të dy ose do ishte i pandershëm,” tha Berisha.
Ai gjithashtu u ndal tek fjalimi i Veliajt në seancën në gjykatë, kur ai krahasoi situatën e tij me rrëmbimin e një kryebashkiaku në Kolumbi nga grupi FARC. “Veliaj tha se, megjithëse procedurat nuk u shkelën njëlloj si në rastin e FARC, ai është shembull i ligjit. Në këshillin bashkiak u bënë 9 vendime brenda ditës,” tha Berisha.
Kryedemokrati shtoi se PD e ka mbështetur arrestimin e Veliajt, por theksoi se në rastin e tij janë shkelur procedurat ligjore të shtetit. Berisha theksoi se Veliaj nuk është as i penduar, as i pafajshëm, duke theksuar se procedurat ligjore në një vend demokratik janë themelore për të drejtat e njeriut dhe shtetin ligjor.
“Për të qenë të qartë për çdo shqiptar, ky është një shembull se çfarë regjimi është instaluar këtu,” përfundoi kreu i PD-së.
