AAPSK: Mbi 3100 pasuri në administrim, rriten të ardhurat

Agjencia e Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara (AAPSK) raporton në Kuvend: Mbi 3,100 pasuri në administrim, rriten të ardhurat dhe ripërdorimi social.

Kryeadministratorja e Agjencisë së Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara (AAPSK), Risena Xhaja, raportoi sot në Komisionin për Nismat Qytetare, Bashkëpunimin dhe Mbikëqyrjen Institucionale të Kuvendit të Shqipërisë, mbi rezultatet e veprimtarisë së Agjencisë. Ajo foli për administrimin e pasurive të sekuestruara dhe të konfiskuara, ripërdorimin social, bashkëpunimin ndërinstitucional dhe ndërkombëtar, si dhe prioritetet në kuadër të procesit të integrimit evropian.

Gjatë raportimit u theksua transformimi i AAPSK-së drejt një modeli më aktiv, transparent dhe produktiv të administrimit të pasurive. Objektivi kryesor është ruajtja dhe rritja e vlerës së tyre, si dhe kthimi i aseteve dhe të ardhurave të krijuara në dobi të shtetit dhe komunitetit.

Një nga treguesit kryesorë të këtij transformimi është rritja e të ardhurave nga qiradhënia e pasurive. Të ardhurat nga qiratë arritën:

  • Rreth 160 milionë lekë në vitin 2024 (nga rreth 79 milionë lekë të ardhura totale të Agjencisë në vitin 2023).
  • Rreth 221 milionë lekë në vitin 2025.
  • Rreth 180 milionë lekë për periudhën janar–gusht 2026.

Kryeadministratorja Xhaja theksoi se të ardhurat e krijuara nga administrimi i pasurive kanë një dimension financiar, por ato kalojnë edhe në Fondin e Posaçëm. Ky fond përdoret për mbështetjen e institucioneve ligjzbatuese dhe strukturave që luftojnë krimin e organizuar, si dhe të organizatave që punojnë me kategoritë vulnerabël, viktimat e krimit, trafikimit dhe dhunës.

Një vëmendje e veçantë gjatë raportimit iu kushtua ripërdorimit social të pasurive të konfiskuara, duke u përshtatur me angazhimet e Shqipërisë në procesin e integrimit në Bashkimin Evropian. Objektivi është që të paktën 50% e pasurive të konfiskuara të destinohen për ripërdorim, përfshirë atë social.

Vetëm gjatë vitit 2026, janë destinuar për institucione:

  • 1.39 milionë euro dhe 21.5 milionë lekë.
  • 11 pasuri të paluajtshme, 50 pasuri të luajtshme, 336 prova materiale dhe 491 armë për Policinë e Shtetit.

Për organizatat jofitimprurëse janë destinuar 150 mijë euro dhe tre pasuri të paluajtshme.

Përmes një thirrjeje të Fondit të Posaçëm janë mbështetur 22 organizata që punojnë me viktimat e trafikimit, parandalimin e kriminalitetit dhe përdorimit të drogës, dhunën në familje dhe në shkolla, bullizmin dhe problematika të tjera sociale.

Aktualisht, AAPSK ka në administrim:

  • 2,665 pasuri të sekuestruara, me vlerë rreth 28.5 miliardë lekë.
  • 516 pasuri të konfiskuara, me vlerë rreth 6.8 miliardë lekë.
  • 774 prova materiale, me vlerë rreth 1.2 miliardë lekë.

Vetëm gjatë vitit 2026 janë kryer 1,175 sekuestrime pasurish, 84 konfiskime dhe 181 revokime.

Rritja e volumit të pasurive në administrim lidhet edhe me intensifikimin e veprimtarisë së institucioneve ligjzbatuese dhe rezultatet e SPAK-ut në identifikimin, sekuestrimin dhe konfiskimin e pasurive me origjinë kriminale.

Kryeadministratorja u ndal gjithashtu te forcimi i bashkëpunimit me prokuroritë, gjykatat, Policinë e Shtetit, BKH-në dhe strukturat e tjera ligjzbatuese. Ky bashkëpunim ka ndihmuar në shkurtimin e kohës së ekzekutimit të vendimeve dhe marrjen më të shpejtë në administrim të pasurive të sekuestruara apo të konfiskuara.

Një tjetër drejtim i rëndësishëm është bashkëpunimi ndërkombëtar. AAPSK ka intensifikuar marrëdhëniet me institucionet homologe në Itali, Francë, Mbretërinë e Bashkuar, Spanjë dhe vende të rajonit. U veçua marrëveshja me autoritetet e Mbretërisë së Bashkuar, e cila përbën rastin e parë në Shqipëri të një International Asset Sharing Agreement, ku të ardhurat nga shitja e një pasurie të lidhur me një shtetas shqiptar të dënuar në Mbretërinë e Bashkuar ndahen mes dy shteteve.

Në kuadër të integrimit evropian, AAPSK po punon edhe për forcimin e kapaciteteve për administrimin e aseteve virtuale dhe kriptomonedhave, një nga çështjet e evidentuara nga Komisioni Evropian. Agjencia ka investuar në trajnimin e stafit, përshtatjen e kuadrit ligjor dhe ngritjen e kapaciteteve teknike dhe institucionale për ruajtjen, administrimin dhe destinimin e këtyre aseteve në rast sekuestrimi apo konfiskimi.

Për periudhën 2025–2030, ndër prioritetet strategjike të AAPSK-së janë:

  • Krijimi i një sistemi të përbashkët ndërinstitucional për ekzekutimin e vendimeve dhe menaxhimin e pasurive.
  • Digjitalizimi i plotë i arkivës.
  • Përmirësimi i mëtejshëm i kuadrit ligjor.
  • Rritja e ripërdorimit social të pasurive të konfiskuara.

Në përfundim të raportimit u theksua se objektivi i AAPSK-së është kalimi nga një institucion që thjesht merr dhe mban pasuri në administrim, në një institucion që i administron ato në mënyrë aktive, transparente dhe produktive, duke ia rikthyer vlerën e tyre shtetit dhe shoqërisë.

Scroll to Top