Arrestohen trafikantë veprash arti të vjedhura nga Europa

Piktura të Vjedhura nga Europa Gënden në Kamëz, Dy Persona në Pranga

Policia e Tiranës ka arrestuar dy persona dhe shpalli në kërkim një tjetër, pasi akuzohen për trafik veprash arti të vjedhura.

Dy nga tre personat e përfshirë në këtë grup, sipas burimeve, janë babë e bir: Aurel Halilaj, 20 vjeç, dhe Jetmir Halilaj, 42 vjeç.

Autoritetet kanë sekuestruar një sërë objektesh me vlera historike dhe kulturore, duke përfshirë piktura, skulptura, ikona, punime druri, dokumente të rralla dhe albume me pulla poste. Këto objekte i janë dërguar Prokurorisë.

Njoftimi i plotë i Policisë së Shtetit sqaron se:

  • Operacioni policor “Muzeu i errët”, i koduar kështu, është finalizuar pas një hetimi disamujor të kryer me metoda speciale.
  • Është goditur një grup kriminal që trafikonte vepra arti të vjedhura nga vende të ndryshme të Europës drejt Shqipërisë.
  • Janë identifikuar tre pjesëtarë të grupit; dy prej tyre janë arrestuar, ndërsa i treti është shpallur në kërkim.
  • Janë sekuestruar qindra objekte me vlera historike dhe kulturore, të cilat mbaheshin me qëllim shitjen, në banesën e dy personave të arrestuar, babë e bir.
  • Veprat e sekuestruara përfshijnë: piktura, skulptura, ikona, punime druri, dokumente të rralla dhe albume me pulla poste.
  • Krahas veprave arti, janë sekuestruar edhe dy automjete, që dyshohet se janë përdorur për transportin e tyre, si dhe dy telefona celularë.

Hetimi intensiv, i ndjekur për disa javë nga specialistët e Seksionit për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme, në bashkëpunim me Prokurorinë e Tiranës, ka çuar në finalizimin e operacionit “Muzeu i errët”. Si rezultat, janë arrestuar shtetasit A. H., 20 vjeç, dhe I. Gj., 30 vjeç, ndërsa shtetasi J. H., 42 vjeç, të tre banues në Kamëz, është shpallur në kërkim.

Nga hetimet rezulton se tre shtetasit, të organizuar si grup, kanë trafikuar drejt Shqipërisë objekte me vlera historike dhe kulturore, të vjedhura nga vende të ndryshme të Europës. Objektet, të siguruara kryesisht nga shtetasi i arrestuar I. Gj., trafikoheshin për t’u shitur në vendin tonë, në kundërshtim me ligjin.

Gjatë kontrollit në banesën e shtetasve A. H. dhe J. H. (babë e bir), në Kamëz, janë gjetur:

  • 31 punime druri të gdhendura me motive të ndryshme;
  • 3 skulptura në formë dhëmbi elefanti;
  • 6 piktura të autorëve të huaj;
  • 411 albume me pulla poste nga shtete të ndryshme të botës;
  • Një procesverbal origjinal francez, i vitit 1925;
  • Objekte të tjera me vlera artistike dhe historike, si një shpatë metalike, një skulpturë shqiponje, një vazo qelqi dhe një valixhe druri me punime dekorative.

Po punohet për kapjen e shtetasit J. H., dhe vijojnë hetimet për të identifikuar dhe vënë para përgjegjësisë penale shtetas të tjerë që mund të jenë përfshirë në këtë veprimtari kriminale.

Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Tiranës për veprime të mëtejshme.

Scroll to Top