Belinda Balluku nën akuzë për Llogaranë

LAJMI I FUNDIT/ SPAK: Belinda Balluku nën akuzë penale

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar po kryen hetime në kuadër të procedimit penal nr. 136 të vitit 2025, i bashkuar me procedimet penale nr. 167 dhe 181 të vitit 2024. Hetimi ka për objekt veprën penale “Shkelje e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, parashikuar nga neni 258 i Kodit Penal.

Në kuadër të këtij procedimi penal, sot, më 31.10.2025, i është njoftuar akuza të pandehurës Belinda Balluku, e cila mban funksionin e lartë shtetëror të Ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë. Ajo akuzohet për kryerjen e veprës penale “Shkelje e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, në bashkëpunim, parashikuar nga nenet 258/2 dhe 25 të Kodit Penal.

Deri në këtë fazë të hetimeve paraprake, faktet penale që përbëjnë objekt akuze në ngarkim të znj. Balluku, lidhen me veprimet e saj në cilësinë e Ministres, për një procedurë prokurimi objekt i hetimit: “Ndërtimi i tunelit të Llogarasë”, në segmentin rrugor Orikum-Himarë, pjesë e autostradës SH8 (Vlorë-Sarandë). Kjo procedurë u zhvillua në datën 11.12.2020, ndërsa pas anulimit të saj, ajo u rihap më 22.06.2021, me një fond limit prej 18,967,810,952.08 lekë (pa TVSH).

Më datë 21.10.2025, Prokuroria e Posaçme, si organ procedues, i ka dërguar të pandehurës njoftimin përmes shkresës me numër protokolli 37398. Pas marrjes dijeni, znj. Balluku ka njoftuar më 23.10.2025 organin procedues se nuk mund të paraqitej në datën dhe orën e caktuar. Me anë të një shkrese tjetër, me numër protokolli 37881, datë 24.10.2025, Prokuroria e Posaçme i ka kërkuar paraqitjen e saj sot, më 31 tetor, në orën 15:00.

Scroll to Top