Arrestohen 4 shqiptarë në Francë për trafik heroïne

Shkatërrohet rrjeti i trafikut të heroinës në Francë, arrestohen 4 shqiptarë

Policia në qytetin francez të Annecy ka arrestuar katër shtetas shqiptarë, të moshës nga 18 deri në 53 vjeç, të dyshuar për përfshirje në trafikun e heroinës.

Hetimet nisën pas një informacioni për një pikë shpërndarjeje droge në lagjen Côte Perrière. Pas një periudhe vëzhgimi, policia identifikoi një prej trafikantëve dhe e ndoqi deri në banesën e tij. Ai u arrestua më pas gjatë një transaksioni droge në zonën Passage de l’Isle.

Gjatë operacionit u ndalua edhe një përdorues, i cili kishte blerë dy doza heroinë për 70 euro. Policia vijoi mbikëqyrjen e banesës së trafikantit dhe konstatoi dy persona të tjerë që po largoheshin nga aty; të dy u ndaluan dhe u arrestuan.

Në kontrollin e banesës, hetuesit sekuestruan materiale paketimi, rreth 1.5 kilogramë heroinë në formë blloqesh dhe qese të gatshme për shitje, si edhe 7,600 euro në para të gatshme.

Katër të arrestuarit kanë kërkuar shtyrjen e seancës për t’u përgatitur për mbrojtjen e tyre, ndërsa prokuroria ka kërkuar masën e paraburgimit.

Scroll to Top