Zaptimi Hapësirave Publike: 10 Arrestime, 123 të Proceduar

Zaptimi i hapësirave publike, policia bën bilancin: 10 të arrestuar, 123 të proceduar

Policia e Shtetit ka arrestuar 10 persona dhe ka proceduar 123 të tjerë për veprën penale të zaptimit të hapësirave publike, të cilat janë shfrytëzuar në mënyrë të paligjshme për parkingje apo lavazhe automjetesh.

Gjatë operacionit policor mbarëkombëtar të koduar “Hapësirat publike”, janë goditur 133 raste të shfrytëzimit të kundërligjshëm të hapësirave publike ose private për aktivitete ekonomike të paregjistruara.

Detajet e operacionit sipas qarqeve:**

  • Tiranë: 78 raste, me 10 të arrestuar dhe 68 të proceduar.
  • Shkodër: 16 raste, me 16 shtetas të proceduar.
  • Lezhë: 11 raste, me 11 të proceduar.
  • Korçë: 6 raste, me 6 të proceduar.
  • Fier dhe Lushnjë: 6 raste, me 6 të proceduar.
  • Vlorë dhe Sarandë: 4 raste, me 4 të proceduar.
  • Dibër: 4 raste, me 4 të proceduar.
  • Elbasan: 3 raste, me 3 të proceduar.
  • Berat: 2 raste, me 2 të proceduar.
  • Durrës: 2 raste, me 2 të proceduar.
  • Gjirokastër: 1 rast, me 1 të proceduar.

Në kuadër të këtij operacioni, janë proceduar penalisht 45 drejtues automjetesh për parkime të gabuara që pengonin lëvizjen e lirë të automjeteve, këmbësorëve apo automjeteve të emergjencës. Konkretisht, 37 raste janë konstatuar në Tiranë, 3 në Elbasan, 2 në Fier, 2 në Kukës dhe 1 në Durrës.

Gjithashtu, janë konstatuar 3 raste të punësimit të paligjshëm.

Operacioni “Hapësirat publike” përfshiu strukturat për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare, Patrullat e Përgjithshme, Forcat “Shqiponja”, si dhe Policitë Bashkiake.

Ky aksion synon lirimin e hapësirave publike dhe ndëshkimin e atyre që i shfrytëzojnë ato në mënyrë të paligjshme për përfitime financiare, duke mos lëshuar kuponë tatimorë dhe duke krijuar të ardhura të fshehura.

Materialet e grumbulluara janë dërguar në prokuroritë e rretheve gjyqësore për veprime të mëtejshme.

Policia e Shtetit apelon drejtuar qytetarëve dhe drejtuesve të mjeteve që të respektojnë të drejtën e përdorimit të përbashkët të hapësirave publike, si dhe normat ligjore tatimore dhe të Kodit Rrugor. Çdo shkelje do të ndëshkohet sipas ligjit.

Policia gjithashtu fton qytetarët të denoncojnë çdo rast paligjshmërie, duke kontribuar në garantimin e rendit, sigurisë publike dhe zbatimin e ligjit.

Scroll to Top