Tension Mynih – Leverkuseni: Kompany paralajmëron Grimaldon

Tension në Mynih para sfidës me Leverkusenin, Bundesliga “ndizet” në fundjavë

Trajneri Vinsent Kompani dhe drejtori sportiv Kristof Frojnd kanë folur për sfidën e ardhshme kundër Bajer Leverkusen, duke theksuar rrezikun e veçantë që paraqet Alejandro Grimaldo, i njohur për goditjet e tij të lira.

Kompani u shpreh me admirim për Grimaldon, i cili ka shënuar shtatë herë në 13 ndeshje të kampionatit dhe vazhdon të jetë kërcënues nga goditjet e lira. “Thjesht po shpresojmë që të mos kemi kundër nesh goditje dënimi të rrezikshme,” tha Kompany. “Kjo është e vërteta. Mund të shpjegoja gjatë në anglisht se çfarë duhet të bëjmë taktikisht, por e vërteta është se po shpresojmë që të mos bëjmë faulle të panevojshme, që të mos akordohen goditje dënimi, që ai të mos ketë një ditë të jashtëzakonshme me goditjet e lira.” Ai shtoi se Leverkuseni është një rival, duke pasur parasysh që Bajerni nuk ka fituar ndaj tyre në gjashtë ndeshjet e fundit të Bundesligës.

“Nuk jam këtu për të vendosur kush është rivali më i fortë. Rivaliteti ekziston ende. Nuk duhet ta nënvlerësojmë,” theksoi Kompany.

I pyetur nëse Luis Diaz ka nevojë për pushim, trajneri u shpreh: “Kemi avantazhin që ai është mësuar me intensitetin maksimal; e ka përjetuar shumë herë në karrierë. Duket i freskët dhe nuk ka dhënë asnjë shenjë që ka nevojë për pushim. Por është njeri gjithsesi. Në moshën 27-vjeçare, Luço është në moshën e duhur për ta përballuar këtë. Aktualisht duket sikur ai do të donte të luante edhe më shumë.”

Lidhur me kritikat ndaj sulmuesit Nikolas Xhekson, Kompany tha: “Po punon shumë mirë. Folëm për integrimin e tij javën e kaluar dhe gjithçka po ecën shumë shpejt për të. Ai është sulmues – kur shënon, themi që është më i miri, kur nuk shënon, themi që ndoshta nuk është mjaftueshëm i mirë. Jam i lumtur që e kemi Xheksonin këtu; do të jetë i rëndësishëm për ne këtë sezon. Nga ana e aftësive të lojës, ai është aty ku duhet të jetë.”

Tema e fundit për të cilën trajneri foli ishte për portierin e ri të tyre: “Kur Urbig iu bashkua skuadrës në janar, debutoi menjëherë në një ndeshje të Ligës së Kampionëve kundër Leverkusenit. Ai kurrë nuk zhgënjeu; gjithmonë ndihmoi kur na duhej. Ka treguar vazhdimisht që është i aftë. Nuk do ta rrisim presionin mbi të në të ardhmen, sepse tashmë ka dëshmuar aftësitë e tij. Kur të vij momenti i tij, do t’i japim të njëjtin besim si deri tani.”

KLAJDI BAJO – PANORAMASPORT.AL

Scroll to Top