NATO heton lidhje zyrtari spanjoll me grua me dyshime lidhjeje me Rusinë

“U njohën në Tinder”: NATO heton lidhjen e zyrtarit spanjoll me një grua me dyshime për lidhje me inteligjencën ruse

Një njohje e nisur në aplikacionin Tinder ka rezultuar në një çështje sigurie për NATO-n. Lidhja e një oficeri të lartë të Marinës Spanjolle me një grua të lindur në ish-Bashkimin Sovjetik ka ngritur dyshime për një të mundshme lidhje me inteligjencën ruse.

Rasti ka të bëjë me një nga qendrat më të rëndësishme të Aleancës në Britani, ku oficeri shërbente në Komandën Detare Aleate (MARCOM) në Northwood, Hertfordshire. Sipas gazetës “The Telegraph”, oficeri spanjoll ishte në një lidhje me Janina White, 49 vjeç, shtetase britanike dhe polake, e lindur në ish-Bashkimin Sovjetik.

Janina White është dyshuar për lidhje me Kremlinin, por ajo i mohon kategorikisht akuzat, duke deklaruar se është trajtuar në mënyrë të padrejtë për shkak të origjinës së saj. “E di me siguri që nuk jam spiune ruse. Të paktën herën e fundit që kontrollova, nuk isha,” deklaroi ajo për median britanike.

Pozicioni i oficerit spanjoll e bëri çështjen veçanërisht sensitive. Ai shërbente në MARCOM, një qendër e NATO-s përgjegjëse për sigurinë detare dhe koordinimin e inteligjencës. Detyrat e tij përfshinin monitorimin e nëndetëseve dhe anijeve luftarake ruse, si edhe të cisternave të lidhura me të ashtuquajturën “flotë në hije” të Rusisë, e cila përdoret për anashkalimin e sanksioneve perëndimore.

White pranoi se kishte njohuri të përgjithshme për natyrën e punës së partnerit të saj, por këmbënguli se nuk kishte dijeni për informacione operative. “E dija që ata po merreshin me flotën dhe nëndetëset ruse në hije. Por kishte një ndalim të plotë për të diskutuar çdo detaj në vend,” tha ajo.

Çifti u njoh në tetor 2024 përmes Tinder, pak kohë pasi White ishte ndarë nga ish-bashkëshorti i saj. Disa muaj më vonë, më 12 dhjetor 2024, oficeri e ftoi atë në një aktivitet shoqëror në bazën e Northwood. Sipas dokumenteve gjyqësore të cituara nga “The Telegraph”, White mori një leje njëditore si vizitore e shoqëruar për të hyrë në bazën ushtarake.

Më pas, dyshimet rreth saj shkaktuan masa sigurie. Qasja e oficerit në bazë u revokua dhe komandanti e ndaloi atë të hynte në ambientet e Northwood ndërsa po zhvillohej hetimi. Në të njëjtën kohë, nisën dy procedura të veçanta sigurie, njëra brenda NATO-s dhe tjetra nga autoritetet spanjolle.

Sipas një dokumenti gjyqësor të cituar nga gazeta britanike, procedurat çuan Spanjën të pezullonte autorizimin e sigurisë kombëtare të oficerit. Autoritetet britanike, sipas të njëjtit dokument, nuk ishin të përfshira në hetimet specifike.

Në fund, oficeri spanjoll u largua nga Northwood dhe u kthye në Spanjë në vitin 2025. Ndërkohë, Janina White, e cila jeton në Romford, në lindje të Londrës, vazhdon të mohojë çdo lidhje me inteligjencën ruse. Ajo pretendon se dyshimet ndaj saj janë nxitur nga origjina e saj dhe se është trajtuar me paragjykim për shkak se ka lindur në ish-Bashkimin Sovjetik. White gjithashtu ka bërë të ditur se nuk është më në një marrëdhënie me oficerin spanjoll.

Rasti ka rikthyer në vëmendje masat e rrepta të sigurisë që rrethojnë Northwood, një nga qendrat kryesore ushtarake të NATO-s në Evropë. Një lidhje që nisi me një njohje në Tinder përfundoi në një procedurë ndërkombëtare sigurie dhe i kushtoi një oficeri të lartë spanjoll aksesin në një nga objektet më sensitive të Aleancës.

Scroll to Top