Korrupsioni/ AMP arreston ish-gardistin dhe bashkëpunëtorin e tij
Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (Rajoni Tiranë), në bashkëpunim me Prokurorinë e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, pas një hetimi të plotë me metoda speciale, sot më 03.11.2025 ka ekzekutuar masat e sigurisë me karakter shtrëngues ndaj një ish-punonjësi të Gardës së Republikës dhe një shtetasi tjetër.
Këta individë dyshohen për kryerjen e veprës penale “Ushtrim i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike” në bashkëpunim, vepër parashikuar nga nenet 245/1, paragrafi 4 dhe 25 të Kodit Penal.
Konkretisht:
- Arrest në burg: Masa e sigurisë “Arrest në burg”, parashikuar në nenin 238 të Kodit të Procedurës Penale, është caktuar për Z. M., i cili në kohën e kryerjes së veprës penale mbante detyrën e Oficerit pranë Gardës së Republikës me gradën Komisar.
- Detyrim për tu paraqitur në policinë gjyqësore: Masa e sigurisë “Detyrim për tu paraqitur në policinë gjyqësore”, parashikuar në nenin 234 të Kodit të Procedurës Penale, është caktuar për shtetasin K. D., banues në Tiranë, i cili ishte shpallur në kërkim.
Gjatë veprimeve hetimore dhe procedurale të kryera në drejtimin e SPAK, u arrit të provohej se këta dy shtetas, duke luajtur role të ndryshme gjatë kryerjes së veprës penale, në këmbim të shumës prej 20 mijë Euro, i kishin premtuar një shtetaseje (kallëzueses) se do ta ndihmonin në përshpejtimin e procedurave dhe veprimeve juridike pranë një institucioni shtetëror.
Veprimet hetimore vijojnë për të zbuluar përfshirjen e mundshme të personave të tjerë në këtë veprimtari kriminale.
