Programi i Ri i Strehimit: Kredi & Qira Subvencionuar në Nëntor

Kredi të buta dhe qira të subvencionuara: Ministrja Ibrahimaj njofton për programin e ri të strehimit, thirrjet pritet të hapen në nëntor

Thirrjet për aplikimin në programet e kredive të buta dhe të qirave të subvencionuara pritet të hapen brenda muajit nëntor. Ministrja e Financave, Delina Ibrahimaj, deklaroi se aktualisht po finalizohen ndryshimet në ligjin për strehimin dhe aktet e nevojshme nënligjore.

“Ne jemi akoma duke finalizuar ndryshimet në ligjin për strehimin,” tha Ibrahimaj, duke shtuar se paralelisht po punohet për aktet që do t’i japin hapsirë këtyre programeve të reja.

Sipas saj, skemat e reja nuk do t’u drejtohen vetëm familjeve në nevojë, por edhe çifteve të reja dhe profesionistëve të rinj. “Kemi zgjeruar gamën e përfituesve të programeve të strehimit. Të ardhurat që kemi marrë parasysh janë të ardhura mbi mesatare,” deklaroi ministrja.

Ibrahimaj theksoi se synimi kryesor është që mbështetja të shtrihet edhe te shtresa e mesme. “Një çift që merr një pagë mesatare apo më të lartë se mesatarja… përfitimi i këtyre programeve i dedikohet jo vetëm shtresës në kategori sociale, por edhe shtresës së mesme.”

Për vitin 2027, parashikohet mbështetje për 4,000 çifte të reja. Kjo do të realizohet përmes:

  • 2,000 kredive me interes zero për apartamente deri në 60,000 euro.
  • 2,000 kredive me interes 3% për apartamente mbi 60,000 euro.

Tavani i të ardhurave për çiftin që mund të aplikojë për këto kredi është 280,000 lekë.

Ndërkohë, programi i qirave të subvencionuara parashikon 3,000 përfitues. Përfituesit do të kenë një subvencionim prej 50% të qirasë, deri në një maksimum prej 400 euro. Në fokus të këtij programi janë çiftet e reja dhe emigrantët e kthyer që plotësojnë kriteret.

“Uroj që ligji për strehimin të miratohet në Parlament brenda mesit të nëntorit dhe menjëherë më pas do të shpallim thirrjet, duke shpresuar që të realizohen brenda muajit nëntor,” përfundoi Ibrahimaj.

Scroll to Top