Samiti i zgjerimit të BE-së mbahet sot në Bruksel, me pjesëmarrjen e kryeministrit Rama
Sot në Bruksel zhvillohet samiti për zgjerimin e Bashkimit Evropian, ku do të mblidhen bashkëudhëheqësit e vendeve kandidate për anëtarësim në Union. Punimet pritet të fillojnë në orën 14:00 dhe të zgjasin deri në orën 17:00.
Në këtë samit do të marrin pjesë edhe kryeministri shqiptar Edi Rama. Po ashtu, do të jenë të pranishëm kryeministri malazez Milojko Spajiç, kryeministri maqedonas Hristijan Mickoski, presidenti serb Aleksandër Vuçiç, presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy dhe presidentja moldave Maia Sandu. Nga ana e Bashkimit Evropian, do të jetë i pranishëm Presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Costa.
Samiti i radhës për zgjerimin e Bashkimit Evropian shërben si një platformë e re, ku udhëheqësit e vendeve kandidate do të kenë mundësinë të ndajnë perspektivat e tyre mbi procesin e zgjerimit dhe të ardhmen evropiane të rajonit.
Duke filluar nga vendosmëria e Ukrainës dhe Moldavisë për t’u integruar në BE, pavarësisht sfidave të luftës së vazhdueshme në Ukrainë, deri te pritja shumëvjeçare e vendeve të Ballkanit Perëndimor për anëtarësim, çdo udhëheqës pritet të sjellë përvojën dhe këndvështrimin e vet kombëtar mbi mënyrën se si perceptohet zgjerimi dhe çfarë pritet në rrugën përpara.
Sa i përket Shqipërisë, udhëheqësit evropianë kanë vlerësuar progresin e arritur gjatë muajve të fundit, duke e renditur vendin ndër kandidatët kryesorë për anëtarësim në Bashkimin Evropian deri në vitin 2030.
