Rritet bilanci/ Shtatë alpinistë të vdekur pas një orteku në Nepal
Të paktën shtatë alpinistë, përfshirë pesë të huaj dhe dy nepalezë, kanë humbur jetën pasi u goditën nga një ortek në një majë të Himalajeve në Nepalin verilindor, njoftoi agjencia e ekspeditës Seven Summit Treks.
Incidenti ndodhi të hënën në orën 09:00 sipas orës lokale (03:15 GMT) pranë kampit bazë të malit Yalung Ri, në distriktin Dolakha. Ekipet e shpëtimit kanë gjetur dy trupa dhe vijojnë kërkimet për pesë të tjerët, të cilët dyshohet të jenë varrosur nga bora.
Tetë persona të tjerë janë shpëtuar dhe aktualisht ndodhen në kryeqytetin Kathmandu, ku po marrin trajtim për lëndimet e tyre.
Të gjithë alpinistët ishin pjesë e një grupi që u nis më shumë se një orë para se të binte orteku, sipas shefit të policisë së qarkut, cituar nga BBC Nepali.
“Trupat e pesë alpinistëve të tjerë të ndjerë mund të jenë 10-15 metra nën dëborë,” tha Mingma Sherpa, kryetar i Seven Summit Treks. “Do të duhet kohë për t’i gjetur ata.”
Viktimat janë dy italianë, një kanadez, një gjerman, një francez dhe dy nepalezë që shërbenin si udhërrëfyes.
Zëvendësdrejtori lokal i policisë, Gyan Kumar Mahato, i tha BBC-së të hënën se një helikopter shpëtimi kishte zbarkuar në zonën Na Gaun të Dolakha-s, një vend që ndodhet pesë orë ecje nga kampi bazë i Yalung Ri.
Një nga alpinistët e plagosur i tha gazetës The Kathmandu Post se ata kishin kërkuar ndihmë vazhdimisht, por pa sukses. “Nëse ekipi i shpëtimit do të kishte mbërritur në kohë, mund të ishin shpëtuar më shumë jetë,” i tha ai gazetës nepaleze.
Mahato u tha gazetarëve se përpjekjet e shpëtimit u penguan nga moti i keq dhe problemet logjistike, të cilat e bënë të vështirë fluturimin me helikopterë dhe arritjen në vendngjarje në këmbë.
Gazeta Kathmandu Post raportoi se grupi po përgatitej të ngjitej në majën e afërt Dolma Khang, e cila ka një lartësi prej 6,332 metra. Ata kishin planifikuar të ngjiteshin në majën Yalung Ri, e cila është 5,630 metra, si pjesë e programit të tyre të aklimatizimit.
