Fermerët do të marrin 10% rimbursim TVSH për inputet bujqësore
Qeveria ka në plan të rikthejë skemën e kompensimit të TVSH-së në sektorin e bujqësisë. Megjithatë, këtë herë nuk do të bëhet përmes fatura të blerësve, siç ndodhte në skemën e mëparshme që u hoq plotësisht në vitin 2022.
Sipas skemës së re të propozuar, fermerët do të kompensohen me 10% të TVSH-së së paguar për blerjen e inputeve bujqësore, siç janë farat, pesticidet dhe fidanët.
Nga viti 2019 deri në dhjetor 2021, TVSH-ja për inputet bujqësore ishte zero. Por, duke filluar nga 1 janari 2022, pas miratimit të ndryshimeve fiskale, hyri në fuqi vendosja e TVSH-së 10% mbi çmimet e inputeve bujqësore.
Projektligji i ri, i titulluar “Për disa ndryshime në ligjin nr. 92/2014, ‘Për tatimin mbi vlerën e shtuar në Republikën e Shqipërisë’, i ndryshuar”, përcakton se norma e kompensimit prej 10% për prodhuesit bujqësorë synon t’i kompensojë ata për një pjesë të TVSH-së që paguajnë për inputet, duke mbështetur kështu realizimin e prodhimeve të tyre bujqësore.
Në relacionin e projektligjit sqarohet se kompensimi me normë fikse është një mekanizëm i TVSH-së për fermerët të cilët nuk i nënshtrohen TVSH-së. Si rrjedhojë, ata nuk ngarkojnë TVSH për blerësit e produkteve të tyre, por as nuk kanë të drejtë të zbresin TVSH-në e paguar në blerje.
Mënyra e propozuar për zbatim është përmes administratës tatimore, një praktikë e aplikuar edhe në vende të tjera si Franca dhe Greqia. Meqenëse skema e kompensimit me rimbursim nëpërmjet administratës tatimore do të zbatohet për herë të parë në Shqipëri, për një mirëadministrim sa më efikas, propozohet që skema të ketë kufizime. Konkretisht, blerësi i produkteve bujqësore duhet të jetë një person i tatueshëm i regjistruar për TVSH-në, i cili ushtron aktivitet si grumbullues ose/dhe përpunues i produkteve bujqësore, apo agroturizëm i certifikuar sipas legjislacionit në fuqi për turizmin.
Vende të tjera në Ballkanin Perëndimor që kanë aplikuar skema të ngjashme përfshijnë Bosnje-Hercegovinën (me normë kompensimi 5%), si dhe Kosovën, Serbinë dhe Malin e Zi (me normë kompensimi 8%), norma këto më të ulëta se shkalla standarde e TVSH-së, e cila varion nga 17-21%. Në vendet e Bashkimit Evropian, normat e kompensimit variojnë nga rreth 2-12%, duke qenë gjithashtu më të ulëta se shkalla standarde e TVSH-së, që është rreth 19-25%.
Si do të funksionojë skema
Relacioni thekson se projektligji “Për disa ndryshime në ligjin nr. 92/2014, ‘Për tatimin mbi vlerën e shtuar në Republikën e Shqipërisë’, i ndryshuar” konsiston në tre elemente kryesore.
Propozimet e këtij projektligji marrin në konsideratë aktualisht ekzistuesit për sektorin bujqësor, duke përfshirë trajtimin me shkallë të reduktuar të TVSH-së (10%), përjashtimet nga TVSH-ja brenda vendit dhe në import, si dhe subvencionimin për naftën. Gjithashtu, merret parasysh fakti se kompensimi i fermerëve direkt nëpërmjet blerësit, siç është aplikuar më parë, nuk ka rezultuar të jetë funksional.
Projektligji thekson se skema e re e kompensimit të prodhuesve bujqësorë synon të kontribuojë në forcimin e ekonomisë dhe formalizimin e sektorit bujqësor, duke nxitur pajtueshmërinë dhe zbatueshmërinë nga ana e palëve të përfshira në transaksion. Për të përfituar kompensimin, blerësi detyrohet të lëshojë faturën tatimore të fiskalizuar, e cila është e nevojshme për njohjen e shpenzimeve tatimore të zbritshme. Nga ana e tij, fermeri duhet të kërkojë dhe të disponojë këtë faturë për të përfituar kompensimin.
Neni 3 i projektligjit parashikon një riformulim të nenit 150, “Mënyra e zbatimit të skemës”, ku specifikohet:
- 1. Blerësi i produkteve bujqësore, person i tatueshëm i regjistruar për TVSH-në, i cili ushtron aktivitet si grumbullues ose/dhe përpunues i produkteve bujqësore apo agroturizëm i certifikuar sipas legjislacionit në fuqi për turizmin, lëshon një faturë tatimore për shitësin, prodhues bujqësor, për çdo furnizim mallrash dhe shërbimesh të marra prej tij. Vlera e faturës përfaqëson vlerën e furnizimit të paguar nga blerësi për llogari të shitësit, mbi të cilën aplikohet norma e kompensimit, sipas këtij ligji.
Skema e re e kompensimit pritet të hyjë në fuqi nga 1 janari 2026.
