FBI zbarkon në Guatemalë për të ndihmuar autoritetet lokale në kapjen e bandës që u arratis nga burgu
Qeveria e Guatemalës ka njoftuar se Shtetet e Bashkuara do të dërgojnë një ekip të FBI-së për të asistuar në kapjen e anëtarëve të bandës Barrio 18. Kjo bandë u arratis nga burgu muajin e kaluar, duke shkaktuar një krizë të thellë sigurie në vendin e Amerikës Qendrore.
Më 12 tetor, autoritetet raportuan arratisjen e 20 anëtarëve të Barrio 18, një organizatë e shpallur “terroriste” si nga Uashingtoni, ashtu edhe nga vetë Guatemala. Të arratisurit ishin nga burgu Fraijanes II, pranë kryeqytetit, por nuk u bë e ditur saktësisht data e ngjarjes. Deri më tani, vetëm katër prej të arratisurve janë rikthyer nën kontroll.
Qeveria amerikane e ka cilësuar këtë ngjarje si “të papranueshme”. Si pasojë, presidenti socialdemokrat Bernardo Arevalo ka shkarkuar ministrin e Brendshëm, Francisco Jiménez. Në vend të tij, është emëruar Marco Antonio Vilieda, i cili ka kërkuar mbështetjen e FBI-së për ndjekjen e të arratisurve.
Zoti Vilieda ka shpjeguar për mediat se në operacion do të marrë pjesë edhe “Joint Task Force Vulcan”, një njësi speciale e FBI-së. Kjo njësi u krijua në vitin 2019, gjatë mandatit të parë të Donald Trump, me qëllim luftimin e bandave latinoamerikane, sidomos të grupit Mara Salvatrucha (MS-13).
Ndërkohë, prokuroria e Guatemalës ka kërkuar javën e kaluar heqjen e imunitetit të presidentit Arévalo, për të mundësuar fillimin e një hetimi ndaj tij për “moskryerje të detyrës” në lidhje me arratisjen nga burgu.
