Kryeministri Rama: Nga 1 janari paga minimale 500 euro, brenda mandatit shkon në 700 euro
Kryeministri Edi Rama ka njoftuar nëpërmjet një komunikimi në rrjetet sociale se duke filluar nga janari i vitit 2026, paga minimale do të arrijë në 500 euro. Ai gjithashtu ka theksuar se brenda mandatit aktual qeverisës, kjo shumë do të shkojë deri në 700 euro.
“Përshëndetje, sot me kostum se për pak marrim në dorëzim progres-raportin e Komisionit Europian për Shqipërinë dhe kemi konferencë. Padyshim që pjesën më të madhe të buxhetit për vitin 2026 e zënë pensionistët, për të cilët ne e nisim vitin e ardhshëm me 100 milionë euro shtesë, përveç indeksimit. Në vitin 2027, do t’i dyfishojmë këto mjete, duke shtuar 200 milionë euro, plus indeksimi prej 45 milionë eurosh. Në vitin 2028, do t’i trefishojmë, me 300 milionë euro, plus indeksimi prej 46 milionë eurosh. Në vitin 2029, do t’i katërfishojmë, me 400 milionë euro, plus indeksimi prej 47 milionë eurosh, dhe në vitin 2030, do t’i pesëfishojmë, duke shkuar në 500 milionë euro, plus indeksimi prej 48 milionë eurosh. Pra, bëhet fjalë për miliarda euro më shumë që pensionistët do të marrin mbrapsht gjatë mandatit tonë,” tha Rama.
Ai vijoi duke shtuar: “Por, nga janari 2026, do të rritet paga minimale për më shumë se 300 mijë punonjës, të cilët do të marrin shumën e premtuar prej 500 euro. Kjo do të jetë rritja e parë, por jo e vetmja për këtë mandat, ku paga minimale do të arrijë në 700 euro.
Jo vetëm kaq, por siç e kemi premtuar, qeveria do të subvencionojë për një periudhë me 90 milionë euro edhe shtesën e kostos së sigurimit për të punësuarit në sektorin privat.
Ne themi atë që bëjmë dhe bëjmë atë që themi. Ato 83 mandate që ju na dhatë, janë 83 arsye më shumë sesa deri dje për të mos fjetur gjumë, për të punuar pa pushim dhe për t’ju kthyer me gjithë pasionin të gjithë atë që ju na dhatë me besim të jashtëzakonshëm,” përfundoi Rama në komunikimin e tij.
