Përgjimet zbulojnë komunikime mes Ballukut dhe Berberi lidhur me një tunel
Detaje të reja dalin nga dosja e Prokurorisë së Posaçme, ku përfshihet zëvendëskryeministrja Belinda Balluku. Pjesë nga dosja sugjerojnë komunikime të koduara mes shtetasve Belinda Balluku dhe Evis Berberi, të cilat kanë ndodhur në aplikacionin “Signal Private Messenger”.
Sipas përgjimeve, më datë 01.10.2021, në orën 10:52, Evis Berberi i ka dërguar Belinda Ballukut një mesazh ku shkruhej: “Ok Per pak nxjerr tunelin”. Pas një shkurtër bisede, Belinda Balluku i jep instruksionin: “Nxirre tunelin”, në orën 13:37.
Vetëm pak minuta më vonë, në orën 13:43, Berberi i kthen përgjigjen: “Ok Per pak”. Ndërkohë, në orën 16:06, Berberi raporton: “Tuneli u nxorr Sapo”.
Është interesante të vihet re se procesi i vlerësimit të ofertave nga Komisioni i Vlerësimit të Ofertave është përfunduar në datën 01.10.2021, në orën 16:07, vetëm një minutë pas raportimit të nxjerrjes së tunelit.
Po ashtu, nga një këqyrje e një akti ekspertimi kompjuterik mbi një celular të sekuestruar shtetases Valbona Pepa, është zbuluar një komunikim në aplikacionin “Ehatsapp” mes Valbona Pepës dhe Jetmira Dervishit.
Më datë 01.10.2021, në orën 16:13, Valbona Pepa pyet: “Shoqe Kush fitou”. Jetmira Dervishi përgjigjet: “U shpall fituesi Turku me gjoken”. Biseda vazhdon me shkëmbime mesazhesh lidhur me rezultatin e ofertës, me diskutime për të hënën dhe me komente si “Ku je ti qe do i skualf Kur them une”. Përgjimet tregojnë se diskutimi ka qenë intensiv, duke përfunduar me konstatimin se “E meritonte” fituesi.
