Luis Diaz thotë fjalën pas ndërhyrjes ndaj Hakimit: Çdo gjë mund të ndodhë në 90 minuta, i uroj kthim të shpejtë
Luis Diaz ishte protagonist absolut mbrëmë në stadiumin “Parc des Princes”, duke shënuar dy herë në fitoren e Bajern Mynihut kundër PSG-së në Ligën e Kampionëve. Megjithatë, mbrëmja e kolumbianit mori një kthesë negative pak para fundit të pjesës së parë, ku ai u ndëshkua me karton të kuq për një ndërhyrje të ashpër ndaj Ashraf Hakimit. Mbrojtësi i PSG-së u detyrua të largohej nga fusha duke qarë.
Që nga ajo kohë, sulmuesi i Bajernit është bërë objektiv i një sërë kritikash dhe komentesh negative në rrjetet sociale, pavarësisht mbështetjes publike nga klubi i tij.
Ish-lojtari i Liverpulit, i cili u shpreh i heshtur menjëherë pas ndeshjes, më në fund e theu heshtjen me një mesazh të publikuar në Instagram:
- “Ishte një mbrëmje plot emocione. Futbolli na tregon gjithmonë se çdo gjë mund të ndodhë në 90 minuta, si më e mira ashtu edhe më e keqja.”
- “Jam i trishtuar që nuk munda ta përfundoja ndeshjen me shokët e mi të ekipit, por jam krenar për përpjekjen e tyre të jashtëzakonshme.”
- “I uroj Hakimit një rikthim të shpejtë në fushë.”
