Adrian Bajrami: “Ndihem njëkohësisht zviceran dhe shqiptar”, ja pse zgjodha kombëtaren helvete
Mbrojtësi me origjinë shqiptare, Adrian Bajrami, i cili vendosi të përfaqësojë Zvicrën në vend të Shqipërisë, ka dhënë një intervistë të gjatë për median zvicerane, duke rrëfyer arsyet e zgjedhjes së tij dhe ndjesitë personale.
“Nuk pata kohë të bëhem nervoz”, shprehet Bajrami duke kujtuar minutat e tij të para me kombëtaren zvicerane. Transferimi i tij te Luzerni verën e kaluar, nga skuadra e Lisbonës, nuk ishte i motivuar vetëm nga aspekti sportiv, por edhe nga arsye familjare. “Pas stërvitjes kthehem në shtëpi dhe jam me prindërit, vëllezërit dhe motrat. Këtë kënaqësi nuk e kisha pasur për shtatë vite.”
Ai shpreh krenari të madhe për prindërit e tij, të cilët kanë “ndërtuar gjithçka nga e para” në Zvicër. “Jam jashtëzakonisht krenar për ta, madje më krenar për prindërit e mi sesa për veten time”, thekson Bajrami.
Duke qeshur, ai tregon një episod nga paga e tij e parë, të cilën ua kishte ofruar prindërve. “Ata janë shumë kokëfortë për këto gjëra, nuk do të pranonin kurrë para nga unë”, thotë debutuesi i kombëtares helvete.
Lidhur me ndeshjen e ardhshme të Zvicrës në Prishtinë, pas asaj kundër Suedisë, Bajrami pranon se ka një ndjesi të veçantë: “Sigurisht që ekzistojnë lidhje. Është një ndeshje e veçantë, që të jep kënaqësi ta luash.”
Para se të merrte vendimin për Zvicrën, ai kishte luajtur tre ndeshje miqësore me Kombëtaren shqiptare. “Ndihem njëkohësisht zviceran dhe shqiptar. Jam rritur në mënyrë shqiptare, me traditat, gjuhën dhe kulturën. Njëkohësisht, kam lindur dhe jam rritur në Zvicër, ky është vendi im. Jam krenar që përfaqësoj këtë vend”, përfundoi ai.
