OSHEE synon zhvillimin e një rrjeti energjetik inteligjent; Hima: Digjitalizimi dhe inteligjenca artificiale do të luajnë rol kyç
Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike (OSHEE Group) po synon të zhvillojë një rrjet energjetik më inteligjent, ku digjitalizimi, matësit inteligjentë, automatizimi dhe inteligjenca artificiale do të luajnë rol kyç. Këtë vizion e deklaroi administratori i përgjithshëm i kompanisë, Mentor Hima.
Hima prezantoi këtë strategji gjatë konferencës ndërkombëtare “3rd International Conference on Renewable Energies and Smart Technologies – IEEE REST 2026”, e cila u zhvillua në Tiranë. OSHEE Group ishte një nga mbështetësit kryesorë të këtij aktiviteti.
Sipas Himës, rrjeti energjetik i së ardhmes duhet të jetë jo vetëm më i madh dhe më i qëndrueshëm, por edhe më inteligjent. Për këtë arsye, theksoi ai, modernizimi i infrastrukturës duhet të shoqërohet me:
- Digjitalizim
- Smart metering (matës inteligjentë)
- Automatizim
- Përdorim të inteligjencës artificiale
Qëllimi kryesor, sipas Himës, është kalimi nga një rrjet që thjesht reagon ndaj problemeve, drejt një rrjeti që ka aftësinë t’i parashikojë ato. Kjo do të sjellë rritje të eficiencës dhe besueshmërisë së sistemit energjetik.
Një rol thelbësor në këtë transformim pritet ta ketë edhe klienti. Hima theksoi se klienti nuk është më vetëm një konsumator, por po bëhet pjesëmarrës aktiv në sistemin energjetik dhe në një treg gjithnjë e më të hapur, fleksibël dhe të integruar me tregun europian.
Duke iu referuar ligjit të ri “Për energjinë”, Hima nënvizoi se ai forcon më tej rolin e klientit lidhur me shërbimet dhe sjelljen e tij në tregun e liberalizuar të energjisë.
Gjatë fjalës së tij, administratori i OSHEE Group nxori në pah gjithashtu rëndësinë e bashkëpunimit mes universiteteve, industrisë dhe operatorëve të energjisë, si publikë ashtu edhe privatë. Ai shtoi se kërkimi dhe inovacioni fitojnë vlerë të plotë kur transformohen në projekte dhe zgjidhje konkrete për sistemin energjetik.
“Teknologjia do të formësojë rrjetin e së ardhmes, por janë njerëzit që do ta jetësojnë dhe operojnë atë,” u shpreh Hima.
OSHEE Group vijon të investojë në infrastrukturë, teknologji, burime njerëzore dhe partneritete, duke synuar ndërtimin e një sistemi energjetik më modern, më të besueshëm dhe të orientuar drejt nevojave të klientëve dhe integrimit europian. (ATSH)