Kuvendi refuzon interpelancën, Balluku në hetim për tendera

Kuvendi refuzon interpelancën me ministren Balluku, pasi ajo është në hetim

Kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi, refuzoi kërkesën e grupit parlamentar të Partisë Demokratike për një interpelancë urgjente me zv. kryeministren dhe ministren e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, e cila është marrë e pandehur nga drejtësia për veprën penale të “Shkeljes së barazisë në tendera”.

Shtatë deputetë firmëtarë kërkonin që Balluku të paraqitej në Kuvend për të dhënë shpjegime dhe informacione lidhur me akuzat që rëndojnë mbi të për procedurat publike të tenderit për ndërtimin e tunelit të Llogarasë.

Pasi nuk e përfshiu kërkesën në rendin e ditës së seancës plenare të së enjtes, Peleshi i ka dërguar një letër firmëtarëve, ku arsyeton se refuzimi lidhet me faktin që Balluku është në hetim nga drejtësia për të njëjtën çështje. Sipas letrës, kopja e së cilës është parë nga BIRN, zhvillimi i interpelancës do të përbënte “cënim të pavarësisë së organeve të drejtësisë në punën e tyre”.

“Referuar objektit të kërkesës së paraqitur, konstatohet se ajo lidhet me një çështje aktualisht në hetim nga Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK). Në këto kushte, ndërhyrja e Kuvendit përmes zhvillimit të një interpelance do të binte ndesh me parimin e pavarësisë së organit të akuzës dhe me ndalimin e çdo ndikimi në proceset hetimore, të garantuar nga Kushtetuta dhe ligji për prokurorinë,” shkruan kreu i Kuvendit.

Nga ana tjetër, kreu i grupit parlamentar të PD, Gazment Bardhi, e cilëson aktin e Peleshit si mbrojtje nga mazhoranca ndaj Ballukut. “Nuk është përfshirë në rendin e ditës, sepse standardet afrikane të Edi Ramës, se nuk ka asnjë lidhje me standardet europiane, e përjashtojnë llogaridhënien,” tha ai në një dalje për mediat të mërkurën.

Bardhi aludoi se vendimi i Kryetarit të Kuvendit ishte ndikuar nga “urdhër politik i Ballukut”, duke theksuar se ai ka detyrim që të përfshijë në rend dite interpelancën.

Ndërkohë, opozita vazhdon protestën për bllokimin nga mazhoranca të instrumentave parlamentarë që ajo ka në dispozicion për të kërkuar llogari nga qeverisja. Konferenca e Kryetarëve nuk pranoi të mërkurën as kërkesën e PD-së për ngritjen e komisionit hetimor për fondet IPARD, duke përdorur të njëjtin argumentim, se çështja është në hetim nga prokuroria.

Scroll to Top