Roboti MAUL shpëton ushtarin ukrainas nga terreni me mina

VIDEO/ Roboti shpëton ushtarin ukrainas të plagosur në terren të minuar dhe të ekspozuar nga dronët

Një video dokumenton shpëtimin e suksesshëm të një ushtari ukrainas, i cili ishte plagosur në vijën e parë të frontit nga një dron në terren. Pas 33 ditësh përpjekjesh të dështuara për shpëtim, përfshirë gjashtë misione me dronë, u dërgua një robot tokësor “MAUL” për të evakuuar ushtarin e plagosur. Ky i fundit kishte mbijetuar duke përdorur një fashë hemostatike, sipas United 24 Media.

Misioni i vështirë i evakuimit zgjati 5 orë e 58 minuta, me robotin “MAUL” që përshkoi një distancë prej 64 kilometrash. Gjatë rrugës për te i plagosuri, roboti u godit nga një minë, por mbeti funksional dhe arriti të përshkonte edhe pesë kilometrat e fundit për ta arritur ushtarin.

Gjatë kthimit, një dron rus e zbuloi operacionin dhe hodhi një eksploziv mbi MAUL, por falë kapsulës së tij të blinduar, si roboti ashtu edhe ushtari shpëtuan pa lëndime.

“Ushtari u evakua dhe mori ndihmën e nevojshme mjekësore. Jeta e tij nuk është në rrezik,” deklaroi Batalioni i Parë Mjekësor i Ukrainës.

Ukraina ka nisur të përdorë dronë tokësorë të këtij lloji për shpëtimin e të plagosurve në front. Kjo bëhet për shkak të dronëve rusë FPV dhe municioneve patrulluese që rrinë vazhdimisht mbi fushën e betejës, duke penguar mjekët dhe ekipet e shpëtimit të ndërhyjnë, sipas TVP World.

Scroll to Top