AMP arreston policin në Durrës për korrupsion
Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (AMP) në Durrës ka arrestuar një punonjës policie me akuzën e korrupsionit. Sipas AMP, polici i ka kërkuar një shumë prej 60 mijë lekësh të reja për të liruar një automjet nga pika e bllokimit dhe për të mos vendosur masë administrative.
Njoftimi i AMP:
Agjencia e Mbikëqyrjes Policore, Rajoni Durrës – Kavajë, në bashkëpunim me Prokurorinë e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), ka arrestuar në flagrancë punonjësin e policisë G. H. Ai shërbente si Trupë Shërbimi i Trafikut Urban dhe Interurban në Drejtorinë e Vendore të Policisë Durrës dhe dyshohet për kryerjen e veprës penale “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, parashikuar në nenin 259 të Kodit Penal.
Arrestimi në flagrancë u realizua pas zbatimit të metodave speciale të hetimit, ku u provua se punonjësi i policisë, duke shfrytëzuar pozicionin e tij në kundërshtim me ligjin, i ka kërkuar dhe marrë shtetasit E.S. një shumë prej 60.000 lekësh të reja (të sekuestruara si provë materiale). Në këmbim, ai i kishte premtuar se do ta nxirrte automjetin nga pika e bllokimit dhe nuk do t’i vendoste masë administrative.
Vazhdojnë veprimet hetimore në bashkëpunim me SPAK për të zbuluar përfshirjen e mundshme të personave të tjerë në këtë aktivitet kriminal.
