Rama: Paga minimale 700 euro, 500 mln euro shtesë për pensionet

Rama flet për projekt-buxhetin 2026: Paga minimale do të arrijë 700 euro. Në vitin 2030, 500 milionë euro shtesë për pensionet

Publikuar më 05.11.2025 nga shekulli_admin

Gjatë kësaj të mërkure, kryeministri Edi Rama prezantoi planet e qeverisë për rritjen e pagës minimale dhe një shtesë të përvitshme për pensionet, të parashikuar në buxhetin e vitit 2026, i cili është dërguar për miratim në parlament.

“Sot me kostum, sepse shumë shpejt do të marrim në dorëzim Progres Raportin e Komisionit për Shqipërinë dhe do të mbajmë konferencën për shtyp. Padyshim që pjesën më të madhe të projekt-buxhetit për vitin 2026, i cili sapo ka shkuar në parlament, e zënë pensionistët, për të cilët do të nisim vitin e ardhshëm me 100 milionë euro shtesë, përveç indeksimit. Në vitin 2027 do të dyfishojmë shtesën në 200 milionë euro, plus 45 milionë euro indeksim. Në vitin 2028 do ta trefishojmë në 300 milionë euro, plus 46 milionë euro indeksim. Në vitin 2029 do ta katërfishojmë në 400 milionë euro, plus 47 milionë euro indeksim. Dhe në vitin 2030 do ta pesëfishojmë në 500 milionë euro, plus 48 milionë euro indeksim.

Kështu, bëhet fjalë për rreth 1,7 miliardë euro më shumë që pensionistët do të marrin gjatë mandatit tonë të katërt qeverisës, si rezultat i investimit të tyre. Gjithashtu, nga 1 janari 2026, do të rritet edhe paga minimale për 307.850 punonjës. Shuma e premtuar do të jetë 500 euro, e cila do të jetë e para, por jo e vetmja rritje e këtij mandati, ku paga minimale do të arrijë në 700 euro.

Më tej, siç është premtuar, qeveria do të subvencionojë për një periudhë 9-mujore, me 90 milionë euro, shtesën e kostos së sigurimeve për punonjësit në sektorin privat.

“Ky jam unë dhe këta jemi ne. Them dhe themi atë që bëjmë dhe bëjmë atë që themi. Ato 83 mandate që ju na dhatë për të qeverisur Shqipërinë në mandatin e katërt dhe për ta ulur në tryezën e BE si të barabartë ndër të barabartët, janë 83 arsye më shumë se deri dje, për të mos fjetur gjumë, për të punuar papushim dhe për t’ju kthyer ju, me gjithë pasionin, vullnetin, këmbënguljen, durimin dhe dashurinë e mundshme, atë besim të jashtëzakonshëm që ju na dhatë dhe që është një privilegj i jashtëzakonshëm”, u shpreh Rama në videomesazhin e publikuar në rrjetet sociale.

Scroll to Top