28 Shtatori – Transparenca i jep zë qytetarit dhe përgjegjësi pushtetit
28 Shtatori, Dita Ndërkombëtare e së Drejtës për Informim, na rikujton se një shoqëri demokratike ndërtohet mbi themelet e institucioneve transparente dhe qytetarëve të informuar.
Kjo datë, e shpallur nga UNESCO në vitin 2015 si Dita Ndërkombëtare për Qasjen Universale në Informacion, njeh rëndësinë thelbësore që ka aksesi në informacion për ushtrimin e të drejtave të njeriut, forcimin e transparencës, llogaridhënies dhe pjesëmarrjes qytetare. Në vitin 2019, Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara e njohu zyrtarisht 28 Shtatorin si ditë ndërkombëtare në nivelin e OKB-së.
Qasja në informacionin publik u jep qytetarëve mundësinë të kuptojnë se si merren vendimet, si përdoren burimet publike dhe si ushtrohet pushteti. Njëkohësisht, kjo nxit krijimin e më shumë përgjegjësisë dhe llogaridhënies nga ana e institucioneve.
Në kuadër të kësaj dite, Zyra e Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale këtë vit ndërmori një nismë ndërgjegjësuese, duke shpërndarë dhe afishuar dy postera informues pranë autoriteteve publike. Me mesazhin “Ti ke të drejtë të informohesh. Ne kemi detyrim të përgjigjemi”, këto materiale synojnë të nxisin forcimin e transparencës dhe komunikimin e hapur nga autoritetet publike, si dhe t’u ofrojnë qytetarëve informacion praktik për ushtrimin e kësaj të drejte.
Përmes skanimit të kodeve QR të vendosura në materiale, qytetarët mund të shkarkojnë drejtpërdrejt Formularin Model të Kërkesës për Informacion ose të plotësojnë formularin e ankesës pranë Komisionerit.
Krahas afishimit fizik, materialet u janë përcjellë autoriteteve publike edhe në format elektronik, me kërkesën për t’i publikuar si “pop-up” në faqet e tyre zyrtare. Kështu, informacioni bëhet i aksesueshëm jo vetëm në ambientet e institucioneve, por edhe për qytetarët që përdorin shërbimet dhe platformat e tyre online.
Kjo nismë përçon mesazhin se çdo institucion publik ka një rol thelbësor në ndërtimin e një administrate më të hapur, më të aksesueshme dhe më pranë qytetarëve.
Transparenca nuk duhet parë vetëm si një detyrim ligjor, por si një mënyrë funksionimi që forcon marrëdhënien mes institucioneve dhe publikut. E drejta për informim nuk është privilegj, por një e drejtë themelore dhe një shtyllë e demokracisë, integritetit institucional dhe besimit të publikut.
