Berisha hap platformë parlamentare para Këshillit të Ministrave

Berisha: Platformë parlamentare para ndërtesës së Këshillit të Ministrave

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka paralajmëruar hapjen e një platforme parlamentare para Këshillit të Ministrave. Sipas tij, ky hap vjen si pasojë e moslejimit të deputetëve të opozitës për të folur në Kuvend, si dhe mungesës së ministrave për t’u paraqitur në interpelanca.

“As ministrat nuk paraqiten në interpelanca. Në këto kushte do ti sugjeroj grupit parlamentar dhe partisë që opozita të hapë platformën parlamentare para ndërtesës së Këshillit të Ministrave. Aty deputetët e opozitës, qytetarët të paraqesin në fjalimet e tyre të gjitha mendimet, propozimet, denoncimet”, tha Sali Berisha.

Ai theksoi se “kjo nuk do të thotë bojkot, por opozita do të zhvillojë betejën edhe brenda parlamentit”.

Duke iu referuar deklaratës së tij, Berisha shtoi:

“Narkomazhoranca apo pseudomazhoranca ka kaluar në ekstrem. Në parlament, nga 9 seanca të zhvilluara, pavarësisht angazhimit më serioz të opozitës në çdo komision, në çdo seancë, ju jeni dëshmitarë se opozita është lejuar të diskutojë vetëm në një seancë. Kjo do të thotë de facto asgjësim i parlamentit dhe parlamentarizmit, shkelmim i Kushtetutës, rregullores së parlamentit, rendit kushtetues të vendit, dhe mohim i të drejtave të opozitës.

Pas çdo skandali, jo vetëm kryeministri, por as ministrat nuk paraqiten në interpelancë. Në këto kushte, do i sugjeroj grupit parlamentar dhe partisë që opozita të hapë platformën parlamentare para ndërtesës së Këshillit të Ministrave dhe aty deputetët e opozitës, qytetarët, të paraqesin në fjalimet e tyre të gjitha mendimet, propozimet, denoncimet.

Pas 9 seancash, opozita është lejuar të debatojë vetëm një ditë në parlament. Atëherë ne kalojmë në debat me qytetarët. Kjo përbën një hap të domosdoshëm për t’iu përgjigjur represionit në parlament ndaj opozitës, ndaj pluralizmit, shkelmimit të ligjeve dhe të Kushtetutës në funksionimin e këtij institucioni.”

Scroll to Top