Fondi Shqiptar i Zhvillimit investon 18 milionë euro për pajisjen e bashkive me mjete dhe makineri pune
Bashkitë në Shqipëri do të pajisen së shpejti me një flotë të re të përbërë nga eskavatorë, kamionë dhe makineri të tjera pune, me një vlerë totale prej 18 milionë eurosh. Ky investim, realizuar përmes Fondit Shqiptar të Zhvillimit (FSHZH), synon të forcojë kapacitetet e strukturave të shërbimeve publike vendore.
FSHZH ka hapur dy procedura prokurimi për këtë qëllim. Njëra kontratë, me vlerë rreth 11.8 milionë euro, dedikohet furnizimit me makineri të specializuara për punime komplekse. Kontrata tjetër, me vlerë rreth 6.3 milionë euro, parashikon blerjen e mjeteve operative të nevojshme për bashkitë dhe ndërmarrjet e tyre.
Paketa e makinerive të specializuara përfshin pajisje të rënda për punime infrastrukturore, mirëmbajtjen e territorit dhe ndërhyrje teknike. Mes tyre listohen:
- Eskavatorë hidraulikë me zinxhirë (klasa e peshës operative 22–24 tonë)
- Eskavatorë me goma (klasa 17–19 tonë)
- Eskavatorë me krah të zgjatur “Long-Reach” për punime që kërkojnë shtrirje më të madhe
- Fadromë-eskavatorë 4×4
- Rul vibrues me një cilindër
- Ngarkues me rrota (klasa 14–16 tonë)
- Autobetonierë vetëngarkuese me kapacitet prodhimi betoni 3,5–4,7 metra kub
Këto pajisje janë projektuar për përdorim në punime publike, mirëmbajtje rrugësh dhe ndërhyrje teknike në territor.
Në kuadër të tenderit për mjetet operative, do të furnizohen automjete të specializuara për shërbimet publike vendore, duke përfshirë:
- Kamionë tërheqës me gjysmërimorkio tip “Low Loader”
- Kamionë vetëshkarkues të rëndë
- Kamionë me vinç hidraulik
- Mjete për transport dhe furnizim me karburant
Një nga mjetet kyçe do të jetë kamioni tërheqës 6×4 ose 8×4 me gjysmërimorkio tip “Low Loader”, me kapacitet mbajtës të paktën 40 tonë, i cili do të shërbejë për transportin e makinerive të rënda të ndërtimit dhe pajisjeve të tjera operative.
Specifikimet teknike kërkojnë që të gjitha mjetet dhe makineritë të jenë të reja dhe të papërdorura. Ato duhet të shoqërohen me dokumentacionin teknik përkatës, garanci dhe të ofrojnë shërbime mirëmbajtjeje. Për disa kategori pajisjesh, do të instalohen edhe sisteme GPS dhe telematikë për monitorimin e përdorimit dhe funksionimit.
