SPAK kërkon gjykim për blerje votash në zgjedhjet e 11 majit

SPAK kërkon gjykimin e tre mbështetësve të Partisë Socialiste për blerje votash gjatë fushatës për zgjedhjet e 11 majit

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) njoftoi të premten, më 7 nëntor, përfundimin e hetimit dhe dërgimin për gjykim të një çështje penale në ngarkim të tre personave të akuzuar për blerje votash në Qarkun e Lezhës, me qëllim mbështetjen e Partisë Socialiste gjatë fushatës elektorale për zgjedhjet parlamentare të 11 majit.

Gersi Kaçorri akuzohet për “Korrupsion aktiv në zgjedhje”, ndërsa Besnik Uka dhe Artur Jahja për “Korrupsion pasiv në zgjedhje”.

Sipas SPAK, të pandehurit, gjatë fushatës zgjedhore, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, u kanë premtuar, ofruar dhe dhënë shuma monetare zgjedhësve të Bashkisë Kurbin, në këmbim të votimit në një mënyrë të caktuar, në mbështetje të subjektit politik, Partia Socialiste.

Hetimi ka evidentuar se të pandehurit kanë qenë aktivë në fushatën zgjedhore në mbështetje të Partisë Socialiste, duke ofruar dhe shpërndarë mjete monetare tek zgjedhësit për të ndikuar në mënyrën e votimit të tyre.

Raporti i OSBE-ODIHR për zgjedhjet parlamentare të 11 majit vërejti se Partia Socialiste, si parti në pushtet, përdori gjerësisht burime publike në fushatë. Sipas raportit, PS përfitoi nga përdorimi i gjerë i burimeve administrative gjatë fushatës, duke krijuar një avantazh të padrejtë të pushtetit. Po ashtu, u raportuan shumë raste presioni ndaj votuesve, sidomos ndaj punonjësve publikë, mungesë informimi të pavarur mediatik, blerje votash dhe përfshirja e elementëve kriminalë.

Scroll to Top