Greqia qendër energjie, Shqipëria në pritje dhe Balluku nën hetim

## Belinda në Athinë: Ndërkohë që Greqia feston suksesin në projektet e gazit, Shqipëria mbetet në pritje

Në Athinë, Shtetet e Bashkuara dhe Greqia shënuan një marrëveshje historike, me kompaninë Exxon Mobil që do të fillojë kërkimin për gaz në ujërat greke. Ky zhvillim zyrtarisht e shpall Greqinë si “qendër rajonale për gazin natyror të lëngshëm”. Në të njëjtën ceremoni, ku morën pjesë Kryeministri grek Mitsotakis dhe Sekretari amerikan i Energjisë Chris Wright, ishte e pranishme edhe zv/kryeministrja shqiptare Belinda Balluku. Ajo është personi i njëjtë që në Tiranë ndodhet nën hetim nga SPAK dhe është marrë e pandehur lidhur me aferat e tenderave publikë.

Balluku kishte marrë pjesë në një ceremoni në Houston ku u nënshkrua një marrëveshje mes saj, Exxon Mobil dhe Excelerate Energy, një marrëveshje që kryeministri Rama e cilësoi si “epoka e artë e gazit për Shqipërinë”. Synimi ishte kthimi i TEC-it të Vlorës në një nyjë strategjike për gazin amerikan në Ballkan, me terminalin LNG që do të transformonte Vlorën në “portin rajonal të gazit”. Megjithatë, tre vite më vonë, as TEC-i nuk funksionon, as terminal nuk është ndërtuar dhe asnjë metër kub gaz nuk ka hyrë në vend. Shqipëria duket se është zhdukur nga harta e projekteve rajonale të financuara dhe drejtuara nga amerikanët.

Ndërkohë, në Athinë, Exxon Mobil nënshkroi marrëveshjen për kërkimet e para pas 40 vitesh në ujërat greke. U theksua me krenari se “Greqia është porta hyrëse e gazit amerikan në Europë” dhe se “Europa duhet të sigurojë burime energjie pa bagazh gjeopolitik”. Kryeministri Mitsotakis hodhi gjithashtu një shigjetë drejt Ankarasë, duke deklaruar se “Gazi rus nuk duhet të hyjë në Europë nga dera e pasme, përmes Turqisë”. Praktikisht, Greqia po shndërrohet në portën e energjisë amerikane, ndërsa Tirana, e cila kishte aspiruar për një projekt të ngjashëm, ka vetëm duartrokitje. Kjo sepse, në të njëjtën kohë kur Mitsotakis thekson “lidhjen e përhershme mes SHBA-së dhe Greqisë”, Balluku, e akuzuar për korrupsion në tenderin e tunelit të Llogarasë, ndodhet në sallë, duke përfaqësuar një qeveri pa asnjë projekt energjetik funksional me SHBA-në, përveç dokumenteve të harruara të vitit 2021.

Në një takim online me përfaqësues të Exxon Mobil në mars të vitit 2021, Rama shprehej: “Sot për Shqipërinë nis epoka e artë e gazit. Nuk do të ishte e mundur pa ambasadoren Yuri Kim.” Ndërsa Balluku shtonte: “Kjo është një marrëveshje historike që do ta bëjë Vlorën port rajonal të gazit.” Tre vite më vonë, e vetmja “epokë e artë” që ka mbetur është ajo e dosjeve gjyqësore: SPAK ka marrë nën hetim disa nga vartësit e saj dhe vetë Balluku tashmë është e pandehur për abuzime me fondet publike. Në vend që të japë dorëheqjen në Tiranë, ajo shfaqet në Athinë në një ceremoni ku Greqia feston pikërisht atë që Shqipëria dështoi ta realizojë.

Një shpjegim i mundshëm është se pushteti i korruptuar politik e sheh mbështetjen amerikane si një “çertifikatë morali”; fotot me një zyrtar të Uashingtonit vlejnë më shumë se një vendim gjykate. Ndërkohë, Shqipëria mbetet jashtë loje, duke qenë spektatore e festës së fqinjëve që arritën të bëhen një “qendër” energjetike, ndërsa në arkiva mbeten vetëm mburrjet me “epoka të arta” që kurrë nuk u realizuan.

Scroll to Top