Rritje pagash për policinë në vitin 2026

Sa do të rriten pagat për punonjësit e policisë (Shifrat)

Buxheti i vitit 2026 ka parashikuar rritje të pagave për të gjithë punonjësit e Policisë së Shtetit. Ministrja e Brendshme, Albana Koçiu, në një postim në rrjetet sociale njofton se pagat bazë dhe shtesat për kushte pune dhe ushqim do të rriten për të gjitha gradat, duke filluar nga inspektorët e thjeshtë deri te drejtuesit e lartë.

Rritjet e pagave bazë sipas gradave janë si më poshtë:

  • Për inspektorët e thjeshtë, me pagë bazë 80,500 lekë, do të ketë një rritje prej 4,025 lekësh.
  • Gradë nënkomisar, me pagë bazë 95,500 lekë, do të ketë rritje prej 5,500 lekësh.
  • Gradë komisar, nga 105,000 lekë, do të ketë rritje me 5,600 lekë.
  • Kryekomisarët e Policisë së Shtetit, nga 115,500 lekë, do të kenë rritje me 5,325 lekë.
  • Gradat drejtuese do të kenë rritje prej 10,950 lekësh.
  • Gradë drejtues i parë, me pagë bazë 145,500 lekë, do të ketë rritje me 11,325 lekë.

Për ministren e Brendshme, ky vendim është pjesë e angazhimit të qeverisë për të përmirësuar kushtet e punës dhe motivimin e punonjësve të rendit.

“Një vendim i merituar për gratë dhe burrat që çdo ditë mbrojnë sigurinë, jetën dhe rendin publik. Kjo rritje është një investim në profesionistët që qëndrojnë në shërbim të qytetarëve, me përkushtim, integritet dhe sakrificë”, tha ministrja Koçiu.

Ministrja ka njoftuar edhe pagat mesatare sipas gradave, duke përfshirë shtesat për ushqim dhe kushtet e punës, për punonjësit me një vjetërsi mesatare prej 15 vjetësh:

  • Paga mesatare për inspektor të thjeshtë shkon në 100 mijë lekë.
  • Për nënkomisar, paga mesatare është 116 mijë lekë.
  • Për komisar, arrin në 125,600 lekë.
  • Për kryekomisar, arrin në 135,075 lekë.
  • Për gradat drejtuese, paga mesatare është 156,450 lekë.
  • Për gradë drejtues i parë, arrin në 171,575 lekë.
Scroll to Top