SHBA: Senati përparon me ligjin për rihapjen e Qeverisë

SHBA: Senati përparon me projektligjin për rihapjen e Qeverisë amerikane

Senati amerikan ka përparuar me një projektligj që synon rihapjen e Qeverisë së Shteteve të Bashkuara dhe përfundimin e mbylljes 40-ditore. Kjo mbyllje ka prekur pagat e shumë punëtorëve federalë, ka vonuar ndihmat ushqimore dhe ka penguar udhëtimin ajror.

Senatorët miratuan një projektligj të propozuar nga Dhoma e Përfaqësuesve, i cili do të financojë Qeverinë deri më 30 janar. Ai përfshin gjithashtu një paketë prej tre projektligjesh për financimin e agjencive federale.

Nëse Senati miraton dokumentin me ndryshime, ai duhet të miratohet sërish nga Dhoma e Përfaqësuesve dhe pastaj t’i dërgohet presidentit amerikan, Donald Trump, për nënshkrim. Ky proces mund të zgjasë disa ditë.

Sipas marrëveshjes së arritur me disa demokratë, republikanët janë pajtuar të votojnë në dhjetor për vazhdimin e subvencioneve për sigurimet shëndetësore për një kategori të shoqërisë. Këto subvencione, të cilat ndihmojnë amerikanët me të ardhura të ulëta për të paguar sigurim shëndetësor privat, skadojnë në fund të vitit dhe kanë qenë temë kryesore në negociatat e demokratëve për financimin e Qeverisë.

Dokumenti përparoi në Senat të dielën me 60 vota. Presidenti Trump u shpreh optimist para votimit: “Duket se jemi shumë afër përfundimit të mbylljes së Qeverisë.”

Projektligji do të parandalojë largimin nga puna të punëtorëve federalë deri më 30 janar, gjë që konsiderohet një fitore për sindikatat dhe mbështetësit e tyre.

Liderët republikanë do të kërkojnë të hënën një marrëveshje dypartiake për të shmangur disa rregulla të Senatit dhe për të përshpejtuar procesin e projektligjit. Përndryshe, Senatit do t’i duhet edhe një javë tjetër për të përmbushur të gjitha procedurat para votimit përfundimtar, i cili do t’i jepte fund mbylljes fundjavën pasardhëse.

Këshilltari ekonomik i Shtëpisë së Bardhë, Kevin Hasset, paralajmëroi se nëse mbyllja e Qeverisë zgjatet, rritja ekonomike mund të marrë një drejtim negativ në çerekun e katërt, sidomos nëse trafiku ajror nuk normalizohet para Festës së Falënderimeve, e cila sivjet shënohet më 27 nëntor.

Scroll to Top