Mbetje droni gjenden në Rumani pas sulmit rus në portet e Danubit
Ministria e Mbrojtjes së Rumanisë ka njoftuar se janë gjetur “fragmente të mundshme droni” në territorin e vendit, pas një sulmi rus të kryer gjatë natës ndaj porteve në lumin Danub.
Në natën e së hënës, autoritetet rumune u njoftuan për përplasjen e një objekti ajror në tokë, rreth 5 kilometra në jug të kufirit, në zonën veriore të Tulcea-s, sipas njoftimit të ministrisë.
Rumania, si anëtare e Bashkimit Europian dhe NATO-s, ndan një kufi tokësor prej 650 kilometra me Ukrainën. Që kur Rusia filloi sulmet ndaj porteve ukrainase përgjatë Danubit, vendi ka regjistruar vazhdimisht shkelje të hapësirës së tij ajrore nga dronë, si dhe rënie të copëzave nga pajisje pa pilot në territorin e saj.
Kushtet atmosferike nuk kanë lejuar ngritjen e avionëve luftarakë rumunë gjatë natës, ndërsa popullsia në zonë u ka kërkuar të strehohet, ka shtuar ministria.
Në muajin tetor, Bashkimi Europian dënoi “përshkallëzimin e Moskës” pas një serie shkeljesh të hapësirës ajrore evropiane, të cilat i atribuohen avionëve rusë. Përveç Rumanisë dhe Polonisë, të cilat kufizohen me Ukrainën, edhe Estonia, Danimarka dhe Gjermania kanë akuzuar Kremlinin.
Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë njoftuar ulje të pranisë së tyre ushtarake në frontin lindor të Evropës, përfshirë tërheqjen e gati 700 nga 1.700 ushtarët amerikanë të vendosur në Rumani.
Në shtator, ambasadori rus u thirr pas hyrjes së një droni në vend. Në shkurt, Bukureshti miratoi një ligj që lejon rrëzimin e dronëve që shkelin hapësirën ajrore të vendit.
