Sri Lanka: 15 të dënuar për sulmet terroriste të Pashkëve 2019

Sri Lanka dënon 15 persona për sulmet terroriste të Pashkëve 2019

Gjykata e Lartë në Sri Lanka ka shpallur fajtorë 15 persona të akuzuar për përfshirjen në planifikimin e sulmeve terroriste të së Dielës së Pashkëve në vitin 2019. Në këto sulme humbën jetën 270 persona dhe u plagosën më shumë se 500 të tjerë.

Mes të dënuarve është edhe Naufer Moulavi, i cili sipas prokurorisë ka qenë organizatori kryesor i sulmeve me bomba vetëvrasëse. Nëntë persona të tjerë të akuzuar në të njëjtën çështje janë shpallur të pafajshëm.

Seanca gjyqësore u ndërpre para se të shpallej masa për të dënuarit. Sulmet e koordinuara u kryen në tri kisha dhe tri hotele luksoze, duke qenë më vdekjeprurëset në vend që prej përfundimit të luftës civile në vitin 2009. Mes viktimave ishin 45 shtetas të huaj, ndërsa shumica e të vrarëve ishin shtetas të Sri Lankës, përfshirë edhe fëmijë.

Autoritetet i kanë atribuar sulmet ekstremistëve islamikë. Të gjithë autorët e drejtpërdrejtë të shpërthimeve humbën jetën gjatë sulmeve. Në total, 25 persona ishin të pandehur në këtë proces, ndërsa njëri prej tyre vdiq gjatë qëndrimit në paraburgim.

Pas sulmeve, autoritetet e Sri Lankës pranuan një dështim të rëndë të shërbimeve të inteligjencës. Parlamenti u informua se një paralajmërim i marrë nga India për sulme të mundshme nuk ishte përcjellë siç duhet tek autoritetet vendase.

Në vitin 2023, Gjykata e Lartë urdhëroi ish-presidentin Maithripala Sirisena të paguante miliona në kompensime për viktimat, pasi e shpalli përgjegjës për dështimet në sigurinë kombëtare që i paraprinë sulmeve.

Muajin e kaluar, dy ish-zyrtarë të lartë u dënuan me vdekje për neglizhencë kriminale që çoi në sulme. Megjithëse dënimet me vdekje në Sri Lanka zakonisht zëvendësohen me burgim të përjetshëm për shkak të moratoriumit prej dekadash mbi ekzekutimet.

Vendimi i fundit vjen ndërkohë që vijon një hetim i veçantë ndaj ish-shefit të inteligjencës Suresh Sallay, i cili akuzohet se ka organizuar sulmet në bashkëpunim me ekstremistë islamikë. Akuzat janë ngritur edhe në një dokumentar të Channel 4 të vitit 2023, ku një dëshmitar pretendoi se sulmet ishin lejuar të ndodhnin për të rritur mbështetjen ndaj familjes Rajapaksa, e cila për vite me radhë dominoi politikën e vendit.

Suresh Sallay, i arrestuar në shkurt, i mohon akuzat. Edhe ish-presidenti Gotabaya Rajapaksa, i cili u zgjodh disa muaj pas sulmeve me premtimin për të luftuar ekstremizmin islamik, i ka mohuar këto pretendime.

Scroll to Top