Hetim i gjyqtarit Ervin Pollozhani, shtyhet seanca në KPA

Vëzhguesi i ONM kërkon hetim të mëtejshëm për gjyqtarin Ervin Pollozhani

Një kërkesë e vëzhguesit Theo Jacobs të Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit (ONM) për të hetuar një gjetje në çështjen e vetingut të gjyqtarit të Tiranës, Ervin Pollozhani, ka sjellë shtyrjen e seancës në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit (KPA). Seanca ishte planifikuar të zhvillohej të martën, më 11 nëntor, ku palët ishin ftuar për të paraqitur konkluzionet përfundimtare.

Në fillim të seancës, Jacobs njoftoi se kishte depozituar një gjetje dhe një opinion për trupin gjykues të KPA-së. Me anë të tyre, ai kërkoi hetimin e mëtejshëm të transaksioneve lidhur me blerjen e një apartamenti nga Pollozhani dhe bashkëshortja e tij, ku është kthyer një pjesë e vlerës së paguar.

Jacbos kërkon që të pyetet si dëshmitar administratori i shoqërisë që ka shitur apartamentin, si dhe të merren prej kësaj shoqërie aktet që kanë të bëjnë me kthimin e vlerës prej 4.4 milionë lekësh subjektit dhe bashkëshortes së tij. Gjithashtu, kërkohet që, në funksion të gjykimit të çështjes, të merren akte që lidhen me kontratat për apartamente të tjera, si dhe të verifikohet për çështje penale apo civile të blerësve të banesës apo familjarëve të tyre në gjykatat ku ka ushtruar funksionin para kryerjes së këtij transaksioni.

Kryesuesja e trupit gjykues, Ina Rama, u kërkoi palëve të paraqesin qëndrimin e tyre lidhur me këtë kërkesë të vëzhguesit të ONM-së.

Prokurori Klodian Braho, i cili përfaqëson drejtuesin e SPAK, Altin Dumani, në çështjen e vetingut të gjyqtarit Pollozhani, kërkoi kohë për t’u njohur me aktin e paraqitur nga Jacobs. Ndërkohë, përfaqësuesja ligjore e gjyqtarit Pollozhani, avokatja Romina Zano, pyeti nëse gjetja kishte të bënte me ndonjë fakt të ri të pahetuar më parë gjatë hetimit administrativ në Komisionin e Pavarur të Kualifikimit (KPK). Ajo vuri në dukje se ONM jep një qëndrim të unifikuar institucional dhe nuk mund të jetë thjesht opinioni i një vëzhguesi.

Vëzhguesi ndërkombëtar, Theo Jacobs, deklaroi se të dhënat janë në dosjen e hetimit administrativ dhe se opinioni është bazuar në faktet ekzistuese. Ai shtoi se blerja me çmim të ulët dhe shitja me çmim të lartë “bie erë” dhe se kërkimet e tij kanë si qëllim të qartësojnë situatën, ose të largohet “aroma”, ose të gjendet “trupi i vdekur”.

Sipas Zanos, Komisioneri Publik është ai që e vë në lëvizje KPA-në brenda 15 ditëve nga njoftimi i vendimit të arsyetuar. Po ashtu, ajo rikujtoi se ONM bën rekomandim pranë institucionit të Komisionerëve Publikë, i cili më pas e vë në lëvizje këtë të fundit për të ushtruar ankim.

Avokatja Zano theksoi se paraqitja ka pamjen e një opinioni subjektiv, ku u përdorën shprehje si “nuhas” apo “trup i vdekur”, të cilat duken si qasje personale të vëzhguesit ndërkombëtar. Ajo shpjegoi se ONM ka monitoruar procesin dhe vëzhguesi ndërkombëtar i mëparshëm i ka njohur të gjitha provat dhe e ka pyetur subjektin për rrethanat e trajtuara në gjetjet dhe opinionin e Jacobs. Zano vuri në dukje gjithashtu se gjetja po paraqitet në fazën e konkluzioneve përfundimtare dhe pyeti se çfarë donte të tregonte kjo paraqitje: nëse hetimi administrativ i mëparshëm nuk ishte i plotë, apo po vihej në dyshim integriteti profesional i vëzhguesit ndërkombëtar të mëparshëm, Steven Kessler.

Kryesuesja Ina Rama rikujtoi se të gjitha qëndrimet mund të paraqiten nga palët pasi të njihen me aktin e dorëzuar nga Jacobs. Në përgjigje të qëndrimeve të Zanos, vëzhguesi Theo Jacobs pyeti nëse ekzistonte ndonjë përcaktim ligjor që ndalonte paraqitjen e gjetjeve. Ai theksoi se, në cilësinë e vëzhguesit të ONM-së, i kishte kërkuar trupit gjykues të marrë vendim për kërkesën e tij për thirrjen si dëshmitar të ndërtuesit që ka shitur apartamentin dhe për kryerjen e verifikimeve të tjera.

Pas tërheqjes, trupi gjykues i Kolegjit vendosi të shtyjë seancën për datë 14 nëntor, ora 10:00, për t’u dhënë kohë palëve në proces të mbajnë një qëndrim.

Gjatë seancës parardhëse, më 28 tetor, vëzhguesi ndërkombëtar Theo Jacobs i drejtoi disa pyetje subjektit lidhur me transaksionet e kryera për blerjen dhe shitjen e një apartamenti në Tiranë. Jacobs përmendi se, pas kthimit të një vlere nga ana e shoqërisë ndërtuese, prindërit e bashkëshortes, të cilët kishin kontribuar, nuk kishin marrë ndonjë pjesë. Sipas vëzhguesit, çmimi i blerjes sipas kontratës së vitit 2012, mbetet me një diferencë të konsiderueshme prej 4.4 milionë lekësh me atë të shitjes në vitin 2014. Jacobs u shpreh se ky transaksion nuk përputhej me logjikën ekonomike, ndërkohë që vlera monetare e përfituar nga shitja ishte depozituar në llogarinë e gjyqtarit Pollozhani. Duke i cilësuar transaksionet si një “abrakada financiare”, Jacobs tha se vetëm në Shqipëri kishte parë gjëra të tilla.

Për kthimin e shumës nga shoqëria ndërtuese, Pollozhani shpjegoi gjatë seancës parardhëse se kishte të bënte me sipërfaqen më të vogël të apartamentit të mëparshëm të dorëzuar në vitin 2012. Subjekti ka deklaruar vazhdimisht se nuk ka pasur kontribut në blerjen e kësaj pasurie, por sipas tij ishte blerë nga bashkëshortja dhe prindërit e saj para martesës. Pollozhani shpjegoi se vjehrri dhe vjehrra nuk morën pjesë, pasi kontribuuesja më e madhe për pagesën e çmimit të apartamentit të mëparshëm kishte qenë bashkëshortja, me rreth 90% të vlerës.

Lidhur me çmimin e shitjes më të lartë, subjekti parashtroi se apartamenti ishte dhënë me gjithë orenditë, të cilat kanë kosto shtesë, si dhe duke marrë parasysh evoluimin e çmimit të tregut.

Scroll to Top