NASA parashikon cunamin nga hapësira me ndihmën e inteligjencës artificiale. Sistemi inovativ mund të shpëtojë jetë.
Cunamet mbërrijnë në brigje në mënyrë të papritur, shpesh me paralajmërim të pakët. Megjithatë, një program premtues i NASA-s përdor një metodë inteligjente për të zbuluar trazirat oqeanike në momentin kur ato ndodhin, duke u dhënë zonave të rrezikuara kohë të mjaftueshme për t’u përgjigjur.
Sistemi i inteligjencës artificiale, i quajtur Guardian, përdor sinjalin nga satelitët GPS të prekur nga trazirat atmosferike për të ofruar paralajmërim të hershëm, raporton BBC. Ndërkohë, Evropa po zhvillon sistemin e saj për të monitoruar zonat me interes, siç është Oqeani Indian, ku Franca ka territore.
Koncepti bazë i kësaj ideje ka ekzistuar që nga vitet 1970, por vetëm kohët e fundit, gjatë dekadës aktuale, është vënë në zbatim. Natyra ofroi rastin për të testuar sistemin e ri vetëm një ditë pas fillimit të funksionimit të tij.
Një cunami në oqean të hapur është një valë me lartësi vetëm 10-50 centimetra. Kjo duket shumë pak, por për shkak të shtrirjes në një sipërfaqe të madhe, ajo lëviz një masë të konsiderueshme uji. Kjo shkakton “valëzime” në ajrin sipër saj dhe, nga ana tjetër, ndikon në jonosferë, shtresa e atmosferës që ndodhet 100-200 kilometra mbi sipërfaqen e Tokës.
“Valëzimet” në ajër shkaktojnë shqetësime në grimcat e jonosferës, të cilat ndikojnë në sinjalin e satelitëve GPS. Vonesat minimale mund të regjistrohen në kohë reale dhe të bëhen një tregues se po ndodh diçka në det.
Tërmeti i vitit 2011 në Japoni dhe shpërthimi vullkanik i vitit 2022 në Tonga lanë një “gjurmë” në jonosferë, të cilën ekspertët thonë se mund të përdoret për të zbuluar shpërthime vullkanike, rrëshqitje masive tokësore, teste bërthamore nëntokësore dhe lëshime raketash.
Deri më sot, cunamet zbulohen nga pajisjet matëse në oqean të hapur, të cilat reagojnë fort pas tërmeteve. Tërmeti me magnitudë 8.8 ballë të shkallës Rihter, që ndodhi në brigjet e Gadishullit Kamçatka të Rusisë në korrikun e kaluar, ishte më i madhi i regjistruar në planet në 15 vjet. Valët filluan të përhapeshin në të gjithë Paqësorin me një shpejtësi prej 600 kilometrash në orë. Në vendet që kufizohen me oqeanin, u dha alarmi dhe u lëshuan urdhra evakuimi. Vetëm në Japoni, vendi më i afërt me epiqendrën, të paktën 2 milionë njerëzve iu urdhërua të evakuoheshin nga brigjet e tyre.
Falë sistemit të ri, vetëm 20 minuta pas tërmetit në Kamçatka, shkencëtarët e dinin se cunami po shkonte drejt Havait, ku do të mbërrinte brenda 30 deri në 40 minutash. Në fund, valët në Havai arritën maksimumi 1.7 metra dhe shkaktuan përmbytje të vogla dhe dëme të pakta. Pjesa më e madhe e energjisë nga tërmeti i fuqishëm u “shpërnda” në oqean dhe nuk preku zonat e populluara.
Sistemi nuk është ende i plotë. Në të ardhmen, ai do të lejojë jo vetëm zbulimin automatik, por edhe parashikimin automatik të sjelljes së ardhshme të cunamit duke dërguar automatikisht alarme rreth madhësisë përfundimtare të valëve, pikës ku ato do të godasin tokën dhe kohës kur kjo do të ndodhë.
Ka edhe disa kufizime. Jonosfera “ka nevojë nga disa minuta deri në dhjetëra minuta për t’iu përgjigjur” një cunami, një kohë që mund të jetë shkatërruese për komunitetet bregdetare.
