Atentati në Rinas/ Zbulohet informatori me syze që qëndroi pak metra larg shënjestrës
Janë zbuluar detaje të reja lidhur me atentatin e ndodhur sot në rrethrrotullimin e Rinasit, ku mbeti i vrarë Gilmando Dani dhe u plagos rëndë shoqëruesi i tij, Mustafa (Muço) Sheqeri (Shaljani). Atentati është realizuar me kujdes në çdo detaj.
Një nga personat, që dyshohet të ketë pasur rolin e vëzhguesit dhe informatorit, është identifikuar nga policia e Tiranës. Ky person është parë duke vëzhguar viktimën dhe personin e plagosur që nga momenti i daljes nga aeroporti, teksa ata hynë në parkim për të marrë automjetin e tyre. Automjeti ishte parkuar më datë 7 nëntor, ditë kur ata udhëtuan drejt Barcelonës, nga ku edhe po ktheheshin.
Personi që i vëzhgonte, fillimisht kishte vënë syze, por më pas i hoqi, duke mos përdorur asnjë maskë mbuluese. Kjo ka bërë që identifikimi nga ana e grupit hetimor të jetë më i lehtë. Ai qëndronte jo më larg se 30 metra nga shënjestra dhe personi i plagosur. Gjatë kohës, ai ka qenë duke njoftuar personat që ndodheshin në automjetin tip Toyota, i cili rezultoi të jetë përdorur nga autorët e dyshuar të kësaj ngjarjeje.
Nga ana tjetër, autorët kanë mbërritur disa minuta më parë në afërsi të rrethrrotullimit të Rinasit. Kjo për shkak se avioni, që pritej të vinte 40 minuta më herët, pati vonesë, çka ka shkaktuar pritje për ta.
Ndërkohë, në momentin kur janë njoftuar nga personi që po vëzhgonte, autorët kanë dalë me mjetin e tyre në anën tjetër të rrethit, me drejtim të daljes nga Fushë-Kruja.
Në kamerat e sigurisë shihet personi që po vëzhgonte duke ecur në këmbë dhe duke shoqëruar me sy automjetin tip “Benz” ku udhëtonin Gilmando Dani dhe Muço Shaljani. Ai ka qëndruar në këmbë duke parë gjithë ngjarjen. Pasi është kryer akti, ai është kthyer, ka marrë automjetin e parkuar në aeroport dhe është larguar.
Këto të dhëna janë mbledhur nga hetuesit, është bërë identifikimi i informatorit dhe pritet të shpallet në kërkim dhe të arrestohet. Ky person luan një rol kyç në zbardhjen e kësaj ngjarjeje.
Nga ana tjetër, një skenë e rëndë është zhvilluar para syve të qytetarëve. Autorët dyshohet se ishin tre dhe kanë qëlluar me tre armë tip kallashnikov në drejtim të Gilmando Danit dhe Muço Shaljanit. Pasi kanë qëlluar fillimisht, Shaljani ka tentuar të largohet, por pa mundur për shkak të plagëve.
Automjeti “Toyota” është kthyer sërish dhe ka qëlluar përsëri në drejtim të automjetit tip “Benz”. Autori kryesor, që përshkruhet si më aktiv, ka zbritur nga automjeti, është afruar tek dera e pasagjerit dhe me armë, dyshohet tip pistoletë, ka qëlluar nga shumë afër Gilmando Danin, duke e lënë të vdekur në vend.
Autorët janë larguar në drejtim të fshatit Halil, ku kanë djegur edhe automjetin, së bashku me armët e përdorura për të kryer krimin. Ndërkohë, policia ka gjetur rreth 50 gëzhoja në perimetrin ku ka ndodhur ngjarja. Gëzhojat dyshohet se i përkasin armëve të tipit kallashnikov.
