GJKKO: Vendim për zyrtarë të Ministrisë së Mjedisit

GJKKO jep vendimin për tre zyrtarë të Ministrisë së Mjedisit të akuzuar për korrupsion

Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ka vendosur çështjen penale ndaj Ilir Nishanit, Gerson Tafës dhe Genci Hickës, zyrtarë të Ministrisë së Mjedisit, të cilët ishin proceduar nga Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar që në vitin 2020.

NJOFTIMI:

  • Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar i ka paraqitur Gjykatës kërkesën për gjykimin e çështjes penale nr. 84, të vitit 2020, në ngarkim të të pandehurve Ilir Nishani, Gerson Tafa dhe Genci Hicka.
  • Gjykimi i kësaj çështjeje u zhvillua sipas rregullave të gjykimit të zakonshëm. Në përfundim, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me trup gjykues të përbërë nga gjyqtaret Flojera Davidhi, Elsa Ulliri dhe Erjon Çela, me vendimin nr. 71, datë 11.11.2025, vendosi:
  • 1. Deklarimin e pafajshëm të të pandehurit Ilir Nishani për kryerjen e veprës penale “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike” kryer në bashkëpunim, parashikuar nga nenet 259/1 dhe 25 të Kodit Penal (i ndryshuar me Ligjin nr. 43/2021, datë 23.03.2021), për shkak se nuk provohet që e ka kryer veprën penale.
  • 2. Deklarimin fajtor të të pandehurit Gerson Tafa për kryerjen e veprës penale “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike” parashikuar nga neni 259/1 të Kodit Penal (i ndryshuar me Ligjin nr. 43/2021, datë 23.03.2021), dhe dënimin e tij me 2 (dy) vjet burgim.
  • 3. Në zbatim të nenit 59 të K.Penal, pezullimin e ekzekutimit të vendimit me burgim për të pandehurin Gerson Tafa dhe vënien në provë për 24 (njëzet e katër) muaj, me kusht që gjatë kohës së provës të mos kryejë vepër tjetër penale dhe të mbajë kontakte me Zyrën e Shërbimit të Provës që mbulon vendbanimin e tij.
  • 4. Në respektim të nenit 35 të K.Penal, heqjen e së drejtës për të ushtruar funksione publike për të pandehurin Gerson Tafa, për një periudhë 5 (pesë) vjeçare.
  • 5. Deklarimin e pafajshëm të të pandehurit Genci Hicka për kryerjen e veprës penale “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike” kryer në bashkëpunim, parashikuar nga nenet 259/1 dhe 25 të Kodit Penal (i ndryshuar me Ligjin nr. 43/2021, datë 23.03.2021), për shkak se nuk provohet që e ka kryer veprën penale.
  • 6. Provat materiale do të mbeten pjesë e fashikullit të gjykimit.
  • 7. Shpenzimet e fazës hetimore dhe ato gjyqësore, sipas formularit bashkëlidhur, do t’i ngarkohen të pandehurit deklaruar fajtor, Gerson Tafa.
  • 8. Kundër këtij vendimi mund të bëhet ankim në Gjykatën e Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar Tiranë, brenda 15 (pesëmbëdhjetë) ditëve, duke filluar ky afat nga e nesërmja e komunikimit të vendimit gjyqësor të arsyetuar.

Tiranë, më datë 12.11.2025

Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar

Scroll to Top