Nis gjyqi për vrasjen e Ilaria Sulës në Itali, vrasësi pranishëm në sallën e gjyqit
Gjyqi ndaj Mark Antony Samson, i akuzuar për vrasjen e ish-të dashurës së tij shqiptare, Ilaria Sula, mbrëmjen e 25-26 marsit, ka filluar sot, më 12 nëntor, para Gjykatës së Krimeve të Rënda të Romës.
I pandehuri, i pranishëm në sallën e gjyqit, ndoqi seancën nga kafazi prej hekuri. Ai qëndroi i heshtur, pa shfaqur emocione dhe pa kontakt me prindërit e viktimës, me shikimin e fiksuar përpara.
Prokuroria kërkoi gjykim të menjëhershëm për 23-vjeçarin. Ndërkohë, në sallën e mbushur plot, të gjithë sytë ishin drejtuar nga prindërit e Ilarias, të ulur në rreshtin e parë. Ata mbanin veshur bluza me foton e vajzës së tyre dhe mbishkrimin “Drejtësi për Ilarian”.
Në fund të seancës dëgjimore, prindërit e Ilarias u shprehën:
- “Ne kërkojmë drejtësi për Ilarian. Ajo nuk e meritonte këtë fund.”
- “Nuk e kemi nuhatur aromën apo dëgjuar zërin e saj për shtatë muaj. Na ka marrë gjithçka nga zemra. Shtëpia jonë nuk është më e njëjta.”
Kur u pyetën se çfarë ndienin që ishin vetëm pak metra larg Samson, përgjigjja e tyre ishte e prerë: “Për ne, ai thjesht nuk ekziston.”
Avokati i tyre, Francesco Sforza, u shpreh se:
- “Të jesh vetëm pak metra larg personit që i bëri atë që i bëri vajzës së tyre është një dëshmi e guximit dhe dinjitetit të madh. Jo të gjithë mund ta bëjnë këtë.”
- “Duhet të kujtojmë se në qendër të gjithçkaje është një vajzë, një grua e re që u vra”.
Ilaria Sula kishte shkuar në apartamentin në Via Homs ku ish-i dashuri i saj i kishte kërkuar të merrte sendet e saj.
